Qeveria shqiptare nëpërmjet Ministres së Punëve të Jashtme ka kontaktuar me shefin e KFOR, për të marrë informacion mbi ndalimin e 3 punonjësve të Policisë së Kosovës.

“Qeveria e Serbisë të lirojë pa humbur kohë të tre policët. Po bëjmë përpjekjet tona aktive të ndodhë”, tha Xhaçka.

Në Parlament Xhaçka shpreh shqetësimin se vendimi i qeverisë së Kosovës për ndalimin e automjeteve me targa serbe mund të përshkallëzojë situatën, ndërsa i kujton autoriteteve të Prishtinës se lëvizja e lirë buron nga marrëveshjet e nënshkruara.

“Në kuadër të Procesit të Berlinit ku liria e lëvizjes dhe e qarkullimit të mallrave është një nga shtyllat”, tha Xhaçka.

Për ministren, dokumenti që Rama ka dorëzuar në kancelaritë europiane për Asociacionin është kontribut, ndërsa anulimi i mbledhjes së 2 qeverive nuk mund të shihet si dëshmi se Shqipëria nuk mbështet Kosovën. Duke shprehur qëndrimin e qeverisë, Xhaçka nënvizon se është papërgjegjshmëri mbështetja pa kushte, kur mendojnë se Prishtina po gabon.

“Kjo nuk do të thotë që ne të mbështesim 100% dhe në mënyrë të pakushtëzuar qeverinë e Kosovës edhe kur jemi të bindur se ajo që po bën është një gabim me pasoja mjaft të rënda për Kosovën”, tha ministrja.

Por Sali Berisha e shikon të gjithë qëndrimin e Ramës si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës, çka ai në mënyrë kategorike nuk e ka bërë kur ka qeverisur. Pas këtyre qëndrimeve, Berisha sheh jo vetëm dorën e Vuçiçit, por dhe një taktikë të Ramës për ta përdorur për të rregulluar marrëdhëniet personale me SHBA.

“Ishte ndërhyrja më brutale në punët e brendshme të Kosovës. Edi Rama e bëri këtë jo vetëm si shërbim ndaj Beogradit. Ai është në hetim të hapur penal për aferën McGoningal”, tha Berisha.

Si Xhaçka ashtu dhe ministrja Spiropali i kujtojnë Berishës thyerjen e embargos duke lejuar furnizimin me karburant të qeverisë së Milosheviçit. Një pjesë e madhe e deputetëve të opozitës kërkuan një seancë të posaçme për të diskutuar për situatën në Kosovë.

Tv Klan