“Të hapet një zyrë përfaqësimi në Bratislavë”

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim Ministrin për Punët e Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Ivan Korčok. Ministrja Xhaçka vlerësoi Sllovakinë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë. Sipas saj,hapja e negociatave do të përbënte një vlerësim të merituar të Shqipërisë.

Ndava me kolegun kënaqësinë tonë me vlerësimin që i bëri Shqipërisë Indeksi i Demokracisë 2020 i Economist Intelligence Unit, duke e nxjerrë nga lista e regjimeve hibride dhe klasifikuar si një demokraci me të meta. Ky është një lajm i mirë që vjen pas reformave modernizuese dhe europianizuese që ne kemi ndërmarrë. Ky është po ashtu një zhvillim që tregon se çfarë fuqie transformuese ka për rajonin tonë objektivi i integrimit evropian dhe sa e rëndësishme është që ky objektiv të bëhet i prekshëm e i arritshëm dhe të mos bjerë viktimë e politikave të brendshme dhe vlerësimeve subjektive”, Xhaçka.

Gjithashtu, ajo i kërkoi homologut sllovak që të marrë në konsideratë mundësinë e lejimit të një zyre përfaqësimi të Kosovës në Bratislavë. Sipas ministres Xhaçka, kjo do të shërbente si një tregues i vullnetit të mirë dhe i mbështetjes së procesit aq të vështirë të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Lidhur me çështjen e Kosovës, ministri Korčok deklaroi se po ndiqet nga afër dialogu Kosovë-Prishtinë.  Në fjalën e tij, ministri Korčok, u ndal në interesimin që Sllovakia po i kushton çështjes së integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Dua t’ju përgëzoj për ecurinë dhe progresin e dukshëm. Shpresoj që si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, gjatë presidencës portugeze, të marrin miratimin për hapjen e konferencës së I-re ndërqeveritare”, u shpreh ai.

Ministrja Xhaçka falënderoi qeverinë sllovake për donacionin prej 30.000 eurosh për një nga spitalet Covid në Shqipëri, në shenjë solidariteti në luftën ndaj pandemisë globale “COVID 19”, donacion i cili i’u dorëzua asaj gjatë vizitës së ministrit sllovak për Punët e Jashtme dhe Evropiane./tvklan.al