Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ndodhet në Antalja, u prit në një takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavushoglu.

Ministrja Xhaçka vlerësoi intensifikimin e dialogut midis dy vendeve, teksa nënvizoi nevojën për realizimin e koordinimit të bashkëpunimit për të konkretizuar në një plan veprimi real Deklaratën e Partneritetit Strategjik.

Bashkëbiseduesit u dakordësuan mbi nevojën për një fokusim konkret për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushat e infrastrukturës, teknologjisë, arsimit të lartë, turizmit dhe kulturës. Po ashtu, ata shprehen angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në forumet dhe organizmat rajonale dhe ndërkombëtare.

“Takim i shkëlqyer me homologun turk, Mevlut Cavusoglu. Mirënjohës Turqisë për drejtimin në SEECP dhe vlerësim për përmbushjen e prioriteteve. Shohim përpara për të thelluar më tej bashkëpunimin tonë në fusha të ndryshme veçanërisht në forumet rajonale dhe ndërkombëtare”, tha ministrja në një postim në Twitter.

Kryediplomatja Xhaçka ndodhet në Turqi, në krye të delegacionit shqiptar në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, si dhe në Forumin Diplomatik të Antaljas./tvklan.al