Në pritjen zyrtare me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Ministra Olta Xhaçka Kryeministrit Edi Rama i njohu një meritë shumë të madhe për këtë anëtarësim.

“E lashë për në fund, por e lashë për në fund sepse doja t’i jepja rëndësinë dhe peshën që i takon këtij falenderimi. I cili shkon për Kryeministrin Edi Rama të cilit sot përpara se t’i kaloj fjalën dua t’i njoh një meritë shumë të madhe. Të kandidosh për një mandat në Këshillin e Sigurimit dhe të besosh realisht që ke një mundësi për t’u bërë anëtar i Këshillit të Sigurimit, pra, që mund të bësh gjithçka duhet për të fituar mbështetjen e botës për këtë ambicie, janë dy gjëra shumë të ndryshme. Edi Rama besoi tek kjo mundësi, edhe kur një gjë e tillë dukej jorealiste. Dhe mbi të gjitha, ai bëri gjithçka, për të modernizuar e europianizuar Shqipërinë duke e kthyer në një partner të besueshëm e që di të prezantohet me dinjitet në arenën ndërkombëtare, por edhe për të transformuar politikën e jashtme dhe bashkë me të rolin e Shqipërisë në botë, si një vend që eksporton stabilitet e siguri, si një vend që mund të marrë pjesë denjësisht edhe në forumet më të larta të vendimmarrjes rajonale apo globale duke kontribuar aty me ide e zgjidhje konkret”, tha Xhaçka.  

“Për të arritur këtë fitore sot, kanë punuar shumë e shumë shqiptarë e shqiptare, por pa këtë besim, pa këtë vizion e pa këtë punë, unë nuk besoj që sot do të kishim pasur arsye për të festuar. Jam e bindur, që me të njëjtën frymë e të njëjtin vizion do t’ia dalim që ta kthejmë mandatin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në një histori suksesi e burim krenarie për të gjithë shqiptarët”, shtoi ajo më tej./tvklan.al