“Shqipëria ka përcaktuar prioritetet në këtë detyrë”

“Të premten e 11 Qershorit këtu në organizatën e OKB-së, Këshilli i Sigurimit do të votojë për t’i dhënë Shqipërisë një mandat dy vjeçar si anëtar i përkohshëm. Duket se shanset janë shumë të mira që Shqipëria të arrijë ta marrë këtë vend, duke qenë se vjen si kandidaturë e vetme e vendeve nga rajoni i Europës Lindore.”

Për t’u ulur në karrigen e Këshillit të Sigurimit diplomacisë shqiptare i janë dashur 10 vite lobim dhe njëherazi i duhet vota e 2/3 të vendeve pjesëmarrëse të kësaj organizate, në të cilën Shqipëria aderon prej 65 vitesh. Për Ministren e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ky është një moment historik për Shqipërinë.

“Kjo do të thotë prestigj për politikën tonë të jashtme, një mundësi për të ulur në tryezën e lartë vendimmarrëse të botës, për të avancuar një axhendë me vlerat e parimet e politikës sonë të jashtme, një mundësi për të zgjeruar aktivitetin e diplomacisë sonë dhe për të forcuar marrëdhëniet për çështjet që trajtohen nga KS e OKB-së.”

Ndonëse në krye të prioriteteve të axhendës është respektimi i të drejtave të gruas, Ministria Xhaçka thotë se ulja në tryezën e lartë vendimmarrëse të Këshillit të Sigurimit në OKB dikton edhe avancimin e çështjeve rajonale, e veçanërisht atë të Kosovës.

“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të risjellë Kosovën në vëmendjen e KS, Kombeve të Bashkuara, dhe ne do të bëjmë çmos për ta avancuar këtë çështje, që është çështje e interesit tonë kombëtar. Patjetër dua ta theksoj, jemi të vetëdijshëm për kufizimet e vendit tonë të vogël në këtë tryezë të madhe, por që nuk na pengon për të bërë maksimumin në ato që janë interesat tona kombëtare. Ato që janë prioritete”.

E teksa lobimi vijon për të bindur 193 vendet anëtare të OKB-së që të votojnë pro Shqipërisë, Ministria Xhaçka krahas ambasadorëve të vendeve të ndryshme të OKB-së është takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Gutierres, nga i cili tha se ka marrë vlerësime për kontributin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse.

Tv Klan