Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ka dalë në krah paraardhësit të tij Saimir Tahiri dhe ka akuzuar Prokurorinë.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me zhvillimet e fundit, Xhafaj tha se Tahiri nuk mund të fajësohet për aq prova sa ekzistojnë deri tani dhe sulmet po bëhen nga njerëz të caktuar në Prokurori.

“Ajo çka është çuar nga prokurorët e krimeve të rënda dhe aq sa unë kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe bazueshmërinë në prova. Sipas meje jemi në rastin kur individë të Prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një situatë në nxehtë politike. Flas për sa unë kam parë dhe kam lexuar. Nëse Prokuroria ka prova të tjera, le t’i shohim”,

deklaroi ministri i Brendshëm.

Fatmir Xhafaj ka akuzuar gjithashtu se organi i akuzës shiti dhe dekonspiroi operacionin anti-drogë në Babicë të Vlorës dy ditë më parë.

“Precedent të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe marrëdhëniet parlamentare për aq sa unë kam lexuar. Nëse prokuroria ka prova të tjera mbetet për tu parë dhe për tu gjykuar. Unë jam i shqetësuar mos ndodh ajo që ndodhi me operacionin e pak ditëve më parë në Vlorë, kur prokurori u përdor politikisht për një çështje thellësisht hetimore. Kjo është e përsëritur dhe shumë e dëmshme për autoritetin dhe organin e akuzës”,

tha Xhafaj.

Këto deklarata ministri i Brendshëm i bëri pas konferencës ndërkombëtare për 25-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-ministri Saimir Tahiri akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik droge në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit kriminal dhe për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetëror. Organi i akuzës ka kërkuar heqjen e imunitetit të Tahirit për ta arrestuar. /

tvklan.al

Prononcimi për mediat i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:

Ministri Xhafaj: Pardje kur më pyetët për këtë çështje, ju thashë që kjo është një çështje që është iniciuar dhe është duke u shqyrtuar nga drejtësia italiane.

Gjithë të tjerët që flasin sot, nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë kontribut në këtë çështje. Me sa shikoj, thjesht po duan ta përdorin.

Për sa i përket për atë që më pyetët, nëse do më pyesni nga pikëpamja ligjore, nga pikëpamja legale, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në prova. Që do të thotë sipas meje që jemi në rastin ku segmente apo individë të Prokurorisë, po vetë-përdoren politikisht në një çështje apo në një situatë të nxehtë politike.

Flas për sa unë kam parë dhe përsa kam lexuar nga ato që janë bërë publike.

Nëse prokuroria ka prova dhe çështje të tjera, le të presim dhe le t’i shikojmë.

Siç ju thashë para se të jem ministër, unë jam ligjvënës, jam jurist dhe nga ky këndvështrim, meqenëse më pyetët, po jap opinionin dhe vlerësimin tim. Precedentë të tillë, janë precedentë të rrezikshëm për drejtësinë, por dhe vetë marrëdhëniet parlamentare, për aq sa unë kam lexuar dhe për aqsa janë bërë publike.

Nëse Prokuroria disponon prova të tjera, mbetet për t’u parë dhe për t’u gjykuar. Po flasim për një situatë faktike. Unë druaj dhe jam i preokupuar dhe i shqetësuar, mos ndodhi ajo që ndodhi në operacionin e para pak ditëve në Vlorë ku përpara se prokurori të mendonte për të siguruar provën, për të kqyrur vendin e ngjarjes, për të bërë veprime proceduriale, mendoi se si mund të vetëpërdorej politikisht për një çështje thellësisht hetimore dhe në përgjegjësinë e tij të plotë ligjore.

Gjë që është e përsëritur dhe që është shumë e dëmshme për autoritetin e organit të akuzës.

Pyetje: Me këto prova a do të bëhet heqja e mandatit në parlament të ish-ministrit?

Ministri Xhafaj: Janë dy gjëra të ndryshme, nëse e keni të qartë se për çfarë fola unë, ajo është një vendimmarrje tjetër, ndërsa ju më pyetët se si e shoh unë këtë aspekt. Janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Pyetje: Z. Xhafaj, me kaq kohë sa keni në krye të Ministri së Brendshme, keni bërë ju një grafi të të gjithë situatës, çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve në Policinë e Shtetit dhe në Ministrinë e Brendshme në lidhje me kultivimin e Cannabis Sativës në Shqipëri, e para, dhe e dyta, ju në ditët e para, para se të merrnit detyrën thatë se do bënit vlerësim në Policinë shqiptare. Çfarë do bëhet me Vettingun në Policinë shqiptare? E kam fjalën për ata zyrtarë policie që po çohen në Prokuroi si….

Ministri Xhafaj: Përsa i përket çështjes a kam bërë një vlerësim, po ju them që koha është e shkurtër, sigurisht nuk mund të bësh një vlerësim të plotë. Jemi duke bërë një gjë të tillë, sidomos për çështjen e luftës kundër krimit të organizuar.

Unë besoj se shumë shpejt do t’u japim mundësinë që ta shihni publikisht këtë vlerësim, me çfarë ne kemi rreth dy muaj që punojmë së bashku me partnerët për të bërë në këtë fushë. Do të shihni prova dhe vullnete konkrete shumë shpejt.

Përsa i përket çështjes konkrete, më vjen keq ta them, sepse ju jeni gazetarë dhe këtu ka shumë gazetarë për të cilët unë kam respekt të veçantë, por duhet të kishit bërë një analizë më të plotë sesi ka ecur kjo çështje.

Edhe rasti i çështjes për të cilën flitet, rasti ‘Habilaj’, ka disa vite që trajtohet kjo çështje, ka dy referime nga Policia e Shtetit në Prokurori për këtë çështje dhe ka pak ose aspak veprime nga Prokuroria në këtë çështje, të referuar nga Policia.

Gjithsesi kjo i mbetet të ardhmes për t’u parë edhe për t’u analizuar.

Pyetje: Si ministër i rendit do kontribuoni me Prokurorinë, po t’ju kërkohet, a do t’i paraqisni dokumentet për veprimtarinë e z.Tahiri si ish-ministër i Brendshëm, sepse ju jeni pasardhësi i tij?

Ministri Xhafaj: Ju mund të bëni gabime sa të doni, se jeni të lirë të bëni edhe për shkak se nuk jeni njeri i fushës, por unë jam njeri i ligjit, kam formim ligjor dhe e di vendin ku është Ministria dhe ku është Drejtësia.

Pyetje: Zoti Xhafaj, zoti Çako, ka pranuar dje që ka dështuar në rastin e Elbasanit, keni ju një koment, a do ndërmerrni hapa për të shkarkuar?

Ministri Xhafaj: Si gjithmonë ti Klodi për të vajtur në Vlorë i bie nga Berati. Mirë është që të ndjekësh rrugën e ligjit. Zoti Çako ka pranuar ato që tha në konferencë. Mirupafshim!