“Ju jeni të gatshëm, babëzia ju çon deri aty sa të përfitoni edhe nga fatkeqësia”. Ishte kjo një ndër fjalitë e deputetit demokrat, Ferdinand Xhaferraj, i cili kishte thirrur në interpelancë zv/kryeministrin Arben Ahmetaj për të folur për rindërtimin.

Por në një moment, deputeti i PD-së tregoi me laptop nga foltorja premtimin e Ramës për të mbaruar programi i rindërtimit në Shtator të këtij viti, premtim sipas tij i pambajtur.

Kjo solli reagimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili iu përgjigj akuzave të Xhaferrajt. Ai nuk kurseu ironinë me deputetin demokrat ndërkohë që tha se puna për programin e rindërtimit u ndërpre për disa muaj për shkak të pandemisë.

“U ndjeva i detyruar të ndërhyj këtu sepse realisht çdo njeri ka të drejtën të gabojë, të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore. E ngritët e furi një uturi shpifjesh dhe akuzash dhe bëtë edhe një gjest dixhital këtu. Me siguri ju keni qenë i zënë me pasionin tuaj për të përmirësuar cilësinë e diellit dhe nuk e keni vënë re që ndërkohë mes angazhimeve tona për të adresuar pasojat e tërmetit dhe afateve të vendosura ka ndodhur diçka që ka tronditur gjithë botën zoti Xhaferraj, pandemia. Ju kujtoj që kanë qenë muaj të tërë në të cilët kantieret janë bllokuar edhe detyrimisht edhe afatet do të shtyheshin. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt, është aspekti tjetër. Mbi ç’bazë i ngrini gjithë këto akuza dhe flisni për babëzi, makutëri? Keni ndonjë shifër? Keni ndonjë fakt? Shkollat kanë standarde. Shkollat kanë kritere, shkollat kanë preventiva. Shkollat janë zhvilluar si proces ndërtimi me gara. Garat kanë dosje dhe mbi të gjitha këto fakte mund të bëhen edhe qëmtime, edhe hulumtime, edhe investigime dhe më pas të nxirren konkluzione profesionale. Jo si mjek popullor dhe jo si akrobat popullor cirku. Është shëmtuar me thënë të drejtën që gjithë kjo përpjekje të përballet në këtë farë feje pa asnjë bazë”, tha Rama.  

Kreu i qeverisë i ktheu përgjigje edhe për hetimet pas tërmetit. Ai u shpreh se ndërtesat e prishura janë vlerësuar nga organet kompetente dhe nuk ka qenë nevoja që të qëndrojnë gërmadhat aty.

“Nuk matemi me ju se nuk mund të matet cilësia e diellit me errësirën, por pa diskutim që me shumë vëmendje do ta mirëprisnim çdo lloj fakti dhe argumenti, jo dokrra dhe të shara prej të dehuri në klub, por fakte dhe argumente. Zotrote thua që na qenkan fshirë sheshet për të fshirë gjurmët. Cilët gjurmë? Unë nuk emëroj drejtorë. Cilat godina? Të gjitha godinat e prishura kanë historikun e tyre dhe historiku i tyre është vlerësuar nga organet kompetente dhe nuk ka pasur nevojë aty për të mbajtur gërmadhat me muaj me vite. Ndryshimi mes nesh dhe jush është që juve sytë ju janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat, nga shëmtia se ndryshe nuk do ishit krenarë për gjithë masakrën urbane që e keni krijuar dhe e keni promovuar si mrekulli të 8 të botës”, tha Rama.

Më herët, deputeti Xhaferraj tha se qeveria, E ka fshehur përgjegjësinë. “Rrafshuat sheshet. Në Durrës ka vrarë masakra urbane. Viktimat i krijoi masakra urbane”, tha Xhaferraj./tvklan.al