Opinion– Intervista e datës 11 Maj 2000 në emisionin “Opinion”, ishte një intervistë që i takonte zhvillimeve në Kosovë. Protagonisti i intervistës ishte një personazh të cilin shumë njerëz e njihnin me emrin e tij, Xhavit Haliti dhe shumë të tjetër me pseudonimin, Zeka. Aktiviteti i tij në Kosovë që prej vitit 1981 ka qenë ilegal brenda dhe jashtë kufijve.

Në vitin 1981 ai është arrestuar në Kosovë pas demonstratave që nisën. Që nga ajo kohë ai është arrestuar dhe liruar disa herë nga politika serbe. Për një kohë të gjatë ka jetuar mes Zvicrës, Tiranës dhe më pas është rikthyer në Prishtinë për herë të parë në vitin 1999 pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s. Xhavit Haliti ka qenë një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcë së cilës i ka vënë edhe emrin. Ka pasur rol kyç në formimin e bërthamave të rezistencës në Kosovë dhe kontakte me perëndimin. Gjatë intervistës përballë gazetarit Blendi Fevziu tregoi angazhimin e tij në lëvizjet për çlirimin e Kosovës.

“Ka shumë sekrete që sot nuk mund të thuhen, megjithatë mendoj që arkivat e shtetit shqiptar apo arkiva të veçanta që ne kemi pasur i kanë informacionet. Përpjekjet e mia për t’u angazhuar në lëvizjet kombëtare dhe për të bërë diçka fillojnë nga viti 1975. Akuzat e Serbisë në fillim deklaronin se shteti shqiptar nuk është i përzier, por më vonë u tha se sigurimi i shtetit ishte përfshirë në demonstrata. Në vitet 70-të unë kam pasur kontakte me konsullatat shqiptare në vende të ndryshme. Ka pasur organizata të ndryshme që vepronin, të cilat në thelb të tyre kishin nacionalizmin. Diplomacia në atë kohë ka qenë e formuar mirë, mua më kanë ndihmuar në qartësimin politik. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë shteti shqiptar ka punuar në drejtim të Kosovës. Ne i filluam demonstratat, por nuk ditëm t’i orientonim për të vazhduar. Asnjëherë nuk është insistuar nga serbët për të marrë vesh rolin tim në demonstrata, por presioni më i madh dhe torturat më të mëdha psikologjike kanë qenë që unë të pranoja që kisha lidhje me sigurimin e shtetit shqiptar. Gjatë jetës time jam arratisur shumë herë dhe kam pasur fat”,tha Haliti.