Vrasja e Paskuqanit mesnatën e 9 Janarit, tronditi mbarë opinionin publik. Enkeleda Çapoku u dhunua me sende të forta nga kunati i saj Erdet Çapoku, i cili tashmë ndodhet prapa hekurave.

Vajza e viktimës, 18-vjeçarja S. Çapoku, në rrëfimin ekskluziv për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, tregon se ajo dhe mamaja e saj e ndjerë kishin shkuar në Komisariatin Nr.5 të policisë në Kamëz për të denoncuar Erdet Çapokun.

Gjatë intervistës, 18-vjeçarja thotë se e ëma e saj i kishte dhënë para në dorë oficeres së policisë gjyqësore në Komisariatin Nr.5, për ta mbrojtur nga kunati, pasi ndihej e kërcënuar prej tij.

Enkeleda kërkonte mbrojtje për shkak se Erdeti e përndiqte dhe e kërcënonte. Për këtë arsye, ajo e kishte kallëzuar.

Emisioni “Uniko” ka arritur të sigurojë kallëzimin që Enkeleda Çapoku kishte bërë ndaj kunatit. Ky kallëzim mban datën 19 Shtator 2019. Oficerët e policisë së Komisariatit Nr.5 në Kamëz e kishin referuar këtë denoncim për veprën penale të përndjekjes.

S.Çapoku: Ai jetoi 1 muaj me ne, kishte ardhur nga Tepelena për të jetuar, ngaqë babi ishte në burg. Dhe për të ndihmuar babin me letrat, ai ndenji tek ne deri sa mami i dha një mundësi për të gjetur shtëpi me qira më vete. Mami e përzuri nga shtëpia sepse filluan konfliktet nga ana ekonomike. Filluan duke u zënë për anën financiare, plus që babi i tha dhe mamit që ta përzinte nga shtëpia. Sepse unë i thashë babit që nuk e dua në shtëpi. Doli në shtëpi më vete, ai filloi që të kishte konflikt edhe me mua, por edhe me mamin. Ishte një konflikt i fortë, i egër, na dilte në rrugë, na kërcënonte, na shantazhonte. Na thoshte ‘do ju vras’. Sepse ngaqë mami im e përzuri nga shtëpia dhe kishte shkuar në komisariat që të bënte denoncimin.

Spartak Koka: Kur është bërë ky denoncim? Sepse në media dhe në komunikime që është bërë me policinë, është thënë nuk ka urdhër-mbrojtje. Ka patur një paraqitje pranë policisë, pastaj pajtim. Cila është e vërteta?

S.Çapoku: Asnjëherë nuk ka pasur pajtim.

Spartak Koka: Në polici ju keni bërë kallëzim?

S.Çapoku: Po.

Spartak Koka: Pra ju keni firmosur një kallëzim ndaj Erdetit? 

S.Çapoku: Po. Mami bëri denoncimin ngaqë ai e kërcënonte mamin. I kishte thënë mamit që do të fus plumbin.

Spartak Koka: Përse?

S.Çapoku: Arsyen e saktë nuk e di, por si duket ngaqë mami e ka përzënë nga shtëpia dhe mbante inat pse e përzuri. Mami nuk i foli fare sepse në ato momente erdhi furgoni dhe mami iku në punë.

Spartak Koka: Policisë kur ju drejtuat?

S.Çapoku: Nga ora 4 pasi mami im la punën, ne shkuam në komisariat. Edhe mami im bëri denoncimin.

Spartak Koka: Bëhet fjalë për këtë denoncim të datës 19 Shtator 2019. Emisioni Uniko ka arritur të sigurojë një dokument nga Policia e Shtetit, i cili provon se Enkeleda Çapoku është drejtuar në Komisariatin Nr.5, aty ku ka bërë dhe një kallëzim, dhe teksti i kallëzimit dhe i referimit të materialeve në Prokurori është ky: “Më datën 19 Shtator 2019 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasin Erdet Nitat Çapoku i datëlindjes 20.03.1985 banues në Tiranë me arsim 8 klasë, sepse më datë 18.09.2019 në orën 06:30 të mëngjesit në rrugën Demokracia në Paskuqan, për motive të dobëta ka kanosur me fjalën kunatën Enkeleda Haris Çapoku e datëlindjes 27.12.1980. Neni 84 i Kodit Penal’. Ju dha urdhër-mbrojtje?

S.Çapoku: Po, na u dha urdhër-mbrojtje.

Spartak Koka: Por zyrtarisht nga policia thuhet se nuk ka urdhër mbrojtje. Nga Gjykata thuhet që nuk ka urdhër-mbrojtje.

S.Çapoku: Ka patur urdhër-mbrojtje, sepse unë dhe mami kemi deklaruar në komisariat. Madje mami i ka dhënë edhe para oficeres gjyqësore që ta mbronte.

Spartak Koka: I ka dhënë para?

S.Çapoku: Po! Kishim frikë të dilnim jashtë se mos na bënte ndonjë gjë. Kishim frikë që të shkonim në ndonjë vend sepse ai na përndiqte. Na bënte foto dhe ia çonte fotot babit në burg.  /klanplus