Marka më e re shqiptare në kozmetikë mban emrin “Sila”, një ide për të sjellë ndryshimin në produktet e kozmetikës, frymëzuar nga e bukura. Xhensila Myrtezaj rrëfen për emisionin “Rudina” se filozofia e markës së saj të re qëndron në përputhjen e linjës me kriteret që ajo ka kërkuar gjithnjë në një markë, me përzgjedhjen e produkteve, disponueshmërinë e saj si për femrat, edhe për meshkujt.

Emri i markës vjen nga emri i saj i fëmijërisë, pasi të gjithë e thërrisnin “Sila” me përkërdheli, pa e ditur se një ditë, nofka e saj do të shndërrohej në një sinonim të hijeshisë femërore.  

“Sila” është vetëm fillimi i projekteve në biznes të Xhensila Myrtezaj. Ekskluzivisht për “Rudina”, ajo zbulon planet e reja në sipërmarrjet kushtuar së bukurës, ku nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur bëhet fjalë për këngëtaren që ka goditur gjithnjë me pamjen dhe bukurinë e saj.

Rudina Magjistari: Si e gjen ekuilibrin, ku e ndien që ke sakrifikuar, pasi për hir të punës, ndonjëherë të gjitha e bëjnë?

Xhensila Myrtezaj: Në momentin që jam, nuk kam ndierë ndonjë vështirësi të jashtëzakonshme, duke qenë se edhe koncertet kanë qenë të mbyllura kam pasur kohë që ta investoj te produktet, e cila nuk është e vetmja objektivë që unë kam, por gjithsesi do të flasim më vonë për këtë gjë. Unë kam dhe objektiva të tjera që dua t’i zhvilloj.

Rudina Magjistari: Sërish në fushën e sipërmarrjes?

Xhensila Myrtezaj: Po, sigurisht, në fushën e sipërmarrjes dhe në fushën e së bukurës.

Rudina Magjistari: Do të na i zbulosh tani, apo jo?

Xhensila Myrtezaj: Në rregull, po e zbuloj edhe pse unë jam pak supersticioze, por duke qenë se jemi afër përfundimit, bëhet fjalë për një klinikë estetike. Do të jetë një klinikë që është konceptuar dhe ideuar me gjithë bukurinë estetike dhe nevojshmëritë e femrave./tvklan.al