Na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja e radhës për kualifikueset e Botërorit. Përballja Shqipëri-Andorra që do të luhet në stadiumin ”Air Albania” në orën 20:45 në kryeqytet është e rëndësishme për kuqezinjtë. ‘Beteja” në fushën e blertë do të transmetohet drejtpërdrejt në ekranin e Tv Klan.
Ndërkohë, gazetari Alban Xhihani ndodhet tanimë në stadium dhe në një lidhje drejtpërdrejt me programin “Rudina” sjell përditësimet e fundit. Gazetari parashikon që mund të ketë disa ndryshime në formacion, ndonëse ai zyrtar ende nuk është zbuluar.
Alban Xhihani: Mund të ketë pak ndryshime, ndoshta me portën është një pikëpyetje sepse Strakosha mori një goditje në këmbë dhe ka pasur vështirësi edhe të nesërmen pas Anglisë edhe për të ecur, kështu që mund të jetë një opsion Kastrati, por do të shohim. Vetëm pak momente më përpara u interesova për formacionin, por është thuajse e pamundur, e dinë vetëm trajneri dhe ndoshta edhe lojtarët.
Rudina Magjistari: Në lidhje me taktikën që do të ndjekë trajneri në fushë?
Alban Xhihani: Skema nuk pritet të ndryshojë. Ivan Balliu dhe Aliji do të jenë lojtarët e krahut sepse bënë performancë pozitive, po ashtu edhe Berat Gjimshiti së bashku me Ajetin, në total ishte ndeshje pozitive. Nuk e di pse kam parandjenjë, ndoshta Medon Berisha mund të jetë në mesfushë, ndoshta në vendin e Ramadanit dhe pres ndoshta aktivizimin që nga minuta e parë të Arbër Hoxhës sot, mendoj që trajneri do të ndryshojë edhe Manajn ndoshta në një pjesë të dytë ndoshta për Brojën. Mbetet për t’u parë sepse Broja nuk është ende 100% që mund të garantojë 90 minuta në ndeshje.
Si rezultat, Xhihani tha se pret që ndeshja të përfundojë 2-0 në favor të Shqipërisë. Në orën 20:05 do të nisë transmetimi i “Klan Kuq e Zi” ku mund të ndiqni lidhje direkte dhe intervista me lojtarët./tvklan.al