Kryeministri Edi Rama tha të hënën se djali i deputetit Rrahman Rraja, i cili ndodhet në burg si i akuzuar për dhunë ndaj 25-vjeçares Xhisiela Maloku “ndodhet aty ku e meriton të jetë”, por shtoi se i vinte keq për deputetin i cili ishte pranë të shoqes që po lufton me vdekjen.

Sot djali i një deputeti është në burg. Më vjen shumë keq për Rrahmanin sepse po kalon një moment tejet të vështirë, pranë shtratit të spitalit ku e shoqja po lufton me vdekjen dhe natyrisht, edhe si baba, një djalë që është aty ku e meriton të jetë, por kush është pjesë e kësaj familjeje politike, e këtij grupi parlamentar, ka marrë përsipër që të jetë pjesë e të qenit ndryshe. Ne nuk jemi engjëj, nuk jemi të rënë nga qielli, nuk jemi të pagabueshëm. Përkundrazi, kemi të gjitha të metat dhe dobësitë tona, por ne të lidhur me krimin? Ne që për vite u baltosëm sikur ishim një grup parlamentar me 19 kriminelë dhe në fund fare kaloi ligji i dekriminalizimit nuk doli njëri. Edhe Arben Ndoka që prekej nga ligji dha dorëheqjen më parë. Katër të tjerë nuk ishin fare pjesë e grupit tonë

”, tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Kreu i qeverisë tha se shumë shpejt maxhoranca do të sjellë në Kuvend paketën antishpifje.

Ne nuk do të tërhiqemi përpara shpifjeve, por shumë shpejt do të sjellim në Kuvend paketën antishpifje. Jo për të mbyllur rrugët e lirisë së shprehjes, por që secili t’i dalë për zot asaj që thotë. S’kemi asnjë pune me Kodin Penal, asnjë lidhje me ndëshkime penale, paketa anti-shpifje do të jetë një paketë e standardeve evropiane që do të përshëndetet edhe nga institucionet Europiane.

/tvklan.al