Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i bëri thirrje Prokurorisë dhe policisë të sqarojnë të gjitha momentet nga denoncimi i ish-oficerit Nuhu dhe të zbardhin çështjen e shumë diskutuar të javëve të fundit lidhur me dhunën ndaj Xhisiela Malokut, në mënyrë që të rikthehet besimi i publikut tek institucionet.

https://www.facebook.com/zeriamerikes/videos/325109931627769/

Është për të ardhur keq që ka një polarizim në këtë çështje kur mendoj se duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, që kërcënon familjen tonë, pa i dalë askujt në mbrojtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona të cilët kanë lidhje politike, por njëkohësisht pa e tepruar me akuza politike duke pasur konsideratë se është një çështje që krijon ndjeshmëri. Ajo që unë do të nënvizoj, përveç rëndësisë që Prokuroria dhe vetë drejtuesit e policisë duhet të ndërmarrin të gjithë hapat dhe të sqarojnë të gjitha momentet e kësaj “Odiseje”, në mënyrë më të paanshme për të vendosur një besim të publikut te institucionet e zbatimit të ligjit, mendoj që është shumë e rëndësishme që shoqëria civile, ato institucione që janë edhe të specializuara, që janë marrë edhe me dhunën ndaj grave, të jenë të bashkuar për të ndriçuar këtë çështje në interes të së vërtetës dhe të askujt tjetër, sepse përndryshe do të kemi edhe shumë raste të tjera në të ardhmen të cilat do të dëshmonin se mbetemi një vend larg funksionimit të ligjit

”, tha Presidenti Meta, duke folur për herë të parë për çështjen e 25-vjeçares që fillimisht denoncoi në polici Rexhep Rrajën, djalin e deputetit Rrahman Rraja, por që më pas tha se gjithçka e kishte bërë për xhelozi.

Meta konfirmoi edhe se kishte marrë një letër nga ish-oficeri Emiliano Nuhu.

Për rastin konkret, është një çështje për të cilën unë në fakt kam marrë një letër, e cila në fakt i drejtohej edhe Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm dhe Prokurores ë Përgjithshme, përpara se të nisesha për në SHBA, nga oficeri Nuhu. Nuk kam besuar se mund të ndodhin ato çështje, por me çështjen në fjalë po e ndjek edhe ekipi im me në krye kryekëshilltarin për sigurinë Bahri Shaqiri. Për të mbajtur një qëndrim më të qartë do të më duhet të kem një informacion edhe më të plotë edhe më të besueshëm.

Meta tha se për sa kohë të jetë ai në këtë post, nuk do të ketë amnisti për ata që ushtrojnë dhunë në familje.

Ky është një problem mjaft serioz për shoqërinë tonë dhe kjo është një plagë edhe e thellë edhe e gjerë shoqërore, pavarësisht se sa del në sipërfaqe. Unë personalisht edhe në pozitën e Presidentit jam shprehur qartë se për sa kohë të jem në këtë pozitë, nuk do të konfirmoj asnjë amnisti për çdo person që ushtron dhunë në familje. Besoj se edhe parlamenti dhe shoqëria ndajnë të njëjtin mendim.

/tvklan.al