Xhubleta në UNESCO, ministrja Margariti për Tv Klan: Do të mbrohet teknika e bërjes


Xhubleta në UNESCO, ministrja Margariti për Tv Klan: Do të mbrohet teknika e bërjes

20:20 29/11/2022

Xhubleta shqiptare u mor në mbrojtje nga UNESCO si trashëgimi jomateriale. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një lidhje live për Tv Klan, ka thënë se UNESCO do të mbrojë teknikën dhe dijen për të bërë këtë proces dhe për ta përcjellë në breza.

Sipas ministres, tashmë Shqipëria nuk do të jetë e vetme, por së bashku me UNESCO-n do të bëhet e mundur ruajtja e elementëve shqiptarë dhe do të përcillet brez pas brezi dija e realizimit të xhubletës.

Pyetje: Çfarë do të thotë ky vendim për Shqipërinë dhe në veçanti për kulturën shqiptare?

Ministrja e Kulturës Elva Margariti: Do të thotë që tashmë nuk jemi më të vetëm për të mbrojtur dijebërjen e xhubletës. Është shumë i rëndësishëm fakti që sot kemi një numër shumë të vogël personash të cilët dinë të çojnë teknikën përpara në breza, kështu që për këtë arsye duke e quajtur po themi një fenomen, një dukuri në rrezik, i kemi kërkuar UNESCO-s që të bëhemi të gjithë bashkë dhe të çojmë përpara ruajtjen e dijebërjes, edhe bashkë më të patjetër edhe gjithë ato elementë të bukur shqiptar që na mirëpërfaqësojnë në gjithë botën.

Pyetje: Në mënyrë eksplicite do të doja të dija, do të ketë nga komitetet ndërkombëtare vëmendje më të madhe tashmë për kulturën shqiptare, pra institucionet ndërkombëtare do ta kthejnë vëmendjen më shumë nga Shqipëria dhe nga këto që ne i kemi vlerat tona?

Ministrja e Kulturës Elva Margariti: E kanë kthyer prej kohësh dhe kjo e sotmja është patjetër një rezultat i punës së mirë që kemi pasur dhe të mbështetjes ndër vite dhe me internacionalen. Mos harrojmë ndihmën që ka pasur Shqipëria, që nuk është thjesht një ndihmë monetare por dhe një mbështetje edhe në dije për të çuar përpara dhe pas tërmetit ne kemi pasur një nga kontributet më të paprecedentë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, një fond prej 40 milionë Euro që ka ardhur në ndihmë për të ruajtur e për t’ja përcjellë brezave trashëgiminë  kulturore shqiptare. Sot po flasim për trashëgiminë jomateriale, gjithmonë e më tepër po punojmë që jo vetëm objektet, pra jo vetëm qytetet siç është Berati, Gjirokastra, siç kemi kështjellat, por mbi të gjitha edhe dijebërja ashtu siç janë edhe ritet, traditat shqiptare që janë pjesë e mozaikut të madh të vlerave të njerëzimit. Dhe me këtë të sotmen besoj se kemi filluar një rrugë të mirë dhe urojmë që edhe dosjet e tjera që po çojmë përpara, që janë hartuar ose në proces hartimi, të kenë të njëjtin fat të mirë si xhubleta.

Tv Klan









Të ngjashme