Barcelona ka mbyllur disa rinovime në një periudhë kohore prej 1.5 muajsh, me lojtarë të rëndësishëm si Ronald Araujo, Pedri, Gavi dhe Pau Cubarsi që kanë zgjatur kontratat e tyre me klubin blaugrana.
Sipas mediave spanjolle, drejtori sportiv Deco po planifikon një tjetër raund rinovimesh, ku ka prioritet akordet e reja me disa emra të rëndësishëm të skuadrës.
Një nga këta futbollistë, kontrata e të cilit po trajtohet me prioritet nga klubi blaugrana, është edhe talenti Lamin Jamal.
Sulmuesi 17-vjeçar i krahut, në një intervistë për ‘Mundo Deportivo’, foli për të ardhmen dhe bisedimet për rinovimin.
Spanjolli e bëri të qartë se në zemër ka vetëm ngjyrat blaugrana.
“Mendoj se askush nuk dyshon se unë jam një tifoz i Barçës, sa shumë e dua këtë klub. Që nga debutimi im, e kam thënë këtë dhe besoj se në fund do të zgjidhet. Nëse të dyja palët duan që diçka të ndodhë, ajo do të ndodhë! Por mendoj se askush nuk mund të dyshojë në atë që ndjej për këtë klub. Në Korrik, kur nis sezoni i ri do të zgjidhet! Por tani jam i fokusuar në La Liga, Champions dhe Copa del Rey, që janë gjërat më të rëndësishme”.
Edhe në klub janë të ndërgjegjshëm se periudha më e mirë për të diskutuar një kontratë të re, është merkatoja e verës, pasi nuk duan që shpërqëndrimi të ndikojë në performancën e futbollistit në fushë.
Në 21 paraqitje në La Liga, futbollisti ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë edhe 11 asiste.
Klan News