Pa e specifikuar në veçanti Shqipërinë, por duke folur për situatën e trazuar në shumë vende të Ballkanit, një dite përpara vizitës në Tiranë, Zv. Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee e komenton bojkotin e Parlamentit si një mënyrë për të shmangur përgjegjësitë që partive iu kanë dhënë qytetarët.

“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se besimi i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, jo njeriut që tregon se si të pengojë më të fortin”, ka deklaruar ai.

Mesazhin e tij, Yee e ka dhënë nga Budva nga ku ka nisur vizitën e tij zyrtare në Ballkan, ndërsa te hënën ai do vizitojë Tiranën. Në agjendën e zyrtarit të lartë amerikan është parashikuar të zhvillojë takime me Kryeministrin Edi Rama, Kryeparlamentarin Meta dhe kreun e opozitës Lulzim Basha në përpjekje për të arritur një rezultat konkret për përfshirjen e të djathtës në zgjedhje./ TV KLAN