Vdekja e George Floyd ka krijuar një solidaritet shumë të madh. Për këtë arsye një pjesë e madhe e yjeve të Hollywoodi-t dhe jo vetëm në rrjetet e tyre sociale sot janë mbushur me postime me ngjyrë të zezë.

Nën hashtagun “#BlackOutTuesday”, Rihanna, Michael Jordan, Kendall Jenner, institucione siç është Muzeu Metropolitan i Artit, apo dhe biznese si ‘SAVAGE X FENTY’ etj, kanë publikuar sot foto me ngjyrë të zezë, si një ditë zie pas vrasjes së George Floyd nga një efektiv që i vendosi gjurin në qafë.

#BlackOutTuesday është thirrja e fundit që po ndërmerret kundër racizmit, i cili sot më shumë se kurrë ka nevojë për më tepër vëmendje.

Në shenjë proteste këtë të martë të gjitha dyqanet madje edhe ato online, market e njohura ndërkombëtarisht nuk do të shesin asnjë produkt. Jo vetëm kaq, por edhe video-lojrat të cilat janë ndër më të preferuarat në të gjithë botën, sot janë bllokuar.

Edhe vetë rrjeti social Instagram ka bërë thirrje në profilin zyrtar që të shpërndahen sa më shumë foto të tilla të zeza, si një formë për t’u shprehur kundër racizmit.

Ne ju dëgjojmë, ju shohim dhe jemi me ju. Ne jemi kundër racizmit. Ne qëndrojmë me të gjithë ata që punojnë për drejtësi në nder të George Floyd, Breonna Taylor, Ahmaud Arbery dhe shumë të tjerëve, emrat e të cilëve nuk do të harrohen. Kemi parë që komuniteti i Instagramit ka fuqinë të sjellë ndryshim domethënës”, shkruhet në postim.

Ndërkaq Facebook ka premtuar 10 milionë Dollarë për t’i dhënë fund padrejtësisë racore. Shumë emra të njohur të muzikës, kinematografisë apo modës i janë bashkuar kësaj thirrje e cila po zgjerohet anembanë botës.

Një ditë më parë modelja Chrissy Teigen dhe çifti i famshëm Blake Lively dhe Ryan Reynolds dhuruan nga 200.000 Dollarë për të shtyrë organizatorët e protestave për vrasjen e George Floyd që të vijojnë me kryengritjen e tyre.

Klan Plus