Na ndan vetëm një ditë nga finalja e Eurovision dhe një tjetër performance të Shkodrës  Elektronike me “Zjerm”, këngë që siç u shpreh edhe Zefina Hasani disa ditë më parë në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, pretendon fitoren. Shkodra Elektronike ka fituar zemra tashmë në mbarë Europën, por a ia ka dalë të marrë pak pluhur fati nga yjet?

Astrologia e programit, Chrysanthi Kalogeri ka analizuar hartat astrologjike të Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Lacës, por pa shenjën e ashendentit. Beatriçe, e cila i përket shenjës së Virgjëreshës, zotëron tipare që mund ta çojnë drejt fitores. Mundësitë janë mjaft të mira, shprehet astrologia, edhe pse jo me siguri të plotë, por suksesi do të vazhdojë ta ndjekë.

Ajo që do të thosha për Beatriçe është që ka një trekëndësh të madh, diell, Mërkur, Afërdita, Ceres në Virgjëreshë në një lidhje harmonike me hënën që kudo që të jetë e lindur është në shenjën e Demit, pavarësisht orës dhe në një lidhje harmonike këto bashkë me Uranin, Neptunin, Saturnin në shenjën e Bricjapit që kjo e bën të jetë punëtore, këmbëngulëse, realizuese, ato që mendon dhe ka në fantazi mund t’i bëjë realitet. Ka shanse shumë të mira. Nuk mund të them me saktësi që mund të jetë fituese, megjithatë ka shanse shumë të mira dhe do të vazhdojë ky sukses për këta vitin që vjen dhe sidomos sukses të madh do të ketë pas dy vitesh në qoftë se do të vazhdojë të punojë.”

Kolë Laca i cili i përket shenjës së Demit, përshkruhet prej astrologes si mjaft spiritual dhe që ka fatin me  vete. Chrysanthi thotë se ai ka bërë një fillim të ri dhe do të ketë suksese në vijim. Hartat e dyshes janë “mjaft premtuese” sipas astrologes.

“Kola është një artist shumë spiritual, por ka Marsin dhe Afërditën në shenjën e Binjakëve në lidhje harmonike me hënën që qëndron në shenjën e Ujorit. Kam përshtypjen se ka pak më tepër fatin me vete.  Bashkëpunimi solli fitoren dhe ai ka ndier se një ëndërr e tij është bërë realitet, e ka përjetuar shumë thellë këtë fitoren. Nuk mund të them me siguri se jemi fitues, megjithatë hartat e tyre janë shumë premtuese. Doja të shtoja që ka bërë një fillim të ri, jo vetëm në Eurovision dhe do të vazhdojë të ketë edhe suksese të tjera që do të vijnë këtë pranverë dhe atë që vjen e më tutje.”

Kujtojmë që kombinimi  Dem-Virgjëreshë është konsideruar shpesh në astrologji si një nga më të mirët në të gjitha llojet e marrëdhënieve.

Veç bashkëpunimit, Chrysanthi vlerëson edhe një tjetër veçori të Shkodrës Elektronike: “Kanë punuar fort, me disiplinë, disa pengesa por besoj se puna dhe besimi në vetvete i ka ndihmuar të arrijnë këtë sukses”, përfundon astrologia./tvklan.al