Do të ishte një prej 20 luftëtarëve të parë që do të zbriste në ring në mes të pandemisë së koronavirusit, por fati ishte në kahun e kundërt.

Ylli brazilian Ronaldo Souza ka rezultuar pozitiv në testet e Covid-19 dhe për këtë nuk do të jetë i gatshëm në duelin e sotëm në Florida përballë Uriah Hall.

Pozitiv me koronavirus rezultuan edhe dy trajnerët e tij, të cilët janë larguar nga hoteli për tu izoluar në ambiente të tjera, ku do të monitoren nga ekipi mjekësor i UFC.

Ekipi mjekësor i UFC ekzaminoi Souza dhe dy trajnerët e tij dhe zbuloi se ata aktualisht janë asimptomatikë, ose nuk shfaqin simptomat e zakonshme të COVID-19.  thuhet në njoftimin e UFC.

Që prej ardhjes së tij në Florida, Souza së bashku me stafin e tij kishin ndjekur protokollet e shëndetit dhe distancimin social, çka rezultoi e suksesshme për organizatorët, që konfirmojnë se me përjashtim të Souza, asnjë pjesëmarrës nuk rezultoi pozitiv në këto teste dhe për këtë nuk ka anulim të ngjarjes.

Ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes është ajo mes Toni Ferguson dhe Xhastin Gejçi për titullin e kampionit të përkohshëm të peshave të lehta të UFC.

Klan Plus