Ylli Ndroqi apelon vendimin për sekuestrimin e pronave


Ylli Ndroqi apelon vendimin për sekuestrimin e pronave

15:49 07/08/2020

Alban Qafa: Pasuritë e Ndroqit janë të ligjshme

Avokatët e sipërmarrësit Ylli Ndroqi dorëzuan ankimimin kundër vendimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar për sekuestrimin e pronave të tij. Duke folur për mediat pas apelimit të këtij vendimi, avokati Alban Qafa tha se me anë të provave të paraqitura në gjykatë vërtetohet se të gjitha pasuritë e klientit të tij janë të ligjshme dhe se sekuestrimi i tyre është bërë në kundërshtim me ligjin.

“Pasuritë e z. Ndroqi janë të vëna me burime të ligjshme dhe shpresojmë që provat do të merren nga gjykata e Apelit, pasi sekuestroja është bërë në kundërshtim me ligjin anti-mafia, ku përcaktohet kur vihet sekuestroja. Këto prona nuk kanë qenë në prag të tjetërsimit apo kur janë nën ndikim të organizatave kriminale”.

Mbrojtësit ligjor të Ndroqit pretendojnë një sërë parregullsish sa i përket procedurës së ndjekur nga SPAK si për hetimin ashtu edhe për sekuestrimin e pronave. 

“Sekuestroja është vendosur duke përmendur një shkresë të Interpolit që z.Ndroqi ka qenë i arrestuar në vitin 2015 në Itali. Është lehtësisht e verifikueshme si nga sistemi TIMS, si nga vendimi që është bërë publik dje, që Z. Ndroqi nuk ka qenë kurrë i arrestuar në shtetin italian. Ka lëvizur lirshëm në zonën Schengen dhe në Amerikë”. Kemi konstatuar absurditeti në raport procedurat, pasi është vënë sekuestro për prona që z. Ndroqi nuk i ka në posedim”.

Sipas avokatëve, hetimet nga polica e shtetit, kanë zgjatur rreth 18 muaj nën drejtimin e prokuroreve te SPAK, ndërkohë që trupa e parë prej 8 prokurorësh të SPAK është betuar në datën 19 dhjetor të vitit 2019 para presidentit të republikës, pra vetëm 8 muaj më parë.

Tv Klan




Të ngjashme