Beteja e videove të postuara në platformat online ka marrë një hov të ri sepse Youtube ka lajmëruar se do të paguajë për Shorts.

Shorts janë kundërpërgjigjja e Youtube ndaj Tik Tok, janë video të shkurtra në format vertikal që shfaqen në krye të platformës dhe mund të shfletohen me shpejtësi nga celulari.

Kriteret për të marrë para nga Youtube Shorts është të paturit 4000 orë shikimesh në kanalin tuaj në videot e zakonshme ose 10 milionë shikime në Shorts gjatë 90 ditëve të fundit. Me plotësimin e njërit prej kushteve, një Creator mund të bëhet pjesë e Youtube Partner Programme që do t’i paguajë në bazë të reklamave që shtohen në videot e tyre.

Tik Tok, aplikacioni më i përdorur aktualisht i cili ka trembur të gjithë konkurrentët e tij ka një Creator Fund me anë të të cilit paguan përdoruesit e tij. Kjo do të thotë se përveç pagesave që ata marrin nga bashkëpunimet e ndryshme me të cilat postojnë video, paguhen edhe nga vetë platforma.

Platforma sociale ka gjithashtu kushtet e saj për pagesat: nevojiten 10 mijë ndjekës dhe të paktën 10.000 shikime reale të videove në 30 ditët e fundit. Sipas disa raportimeve, pagesat variojnë nga 20-40 Dollarë për çdo 1 milion shikime.

Përdoruesit mund të tërheqin pagesat e tyre nga fondi vetëm nëse kanë arritur të gjenerojnë të paktën 10 Dollarë, pra nevojiten rreth gjysmë milion shikime për të marrë para.

Me shtimin e Youtube Shorts si burim të ardhurash për përdoruesit, duket se këta të fundit do mund të shfrytëzojnë të gjitha platformat e tyre sociale për të rritur fitimet./tvklan.al