Diskutohen përgatitjet për stërvitjen e NATO-s

Në pak sekonda pamje nga mbledhja e Zyrtarëve të Lartë të Sigurisë Kombëtare në Presidencë, ishte interesante mënyra se si ia shmangin vështrimin njeri-tjetrit kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-se, Lulzim Basha.

Ndërsa presidenti Meta lexon fjalën hapëse të takimit, Rama qëndron plotësisht i fokusuar tek dokumentet në tryezë, ndërsa Basha përshëndet me kokë amerikanët.

Në krah të djathtë të Kryeministrit, është ulur ambasadorja amerikane Yuri Kim, ndërsa ministrat Peleshi dhe Çuçi kanë qenë të vendosur pak më tej në tryezë.

Takimi u zhvillua kur atmosfera politike ka nisur të nxehet dhe shkak ishte prania e zëvendëskomandantit të Ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Joseph F. Jarrard, për të diskutuar masat përgatitore për stërvitjen më të madhe me trupa në Ballkan, të koduar “Defender Europe 21”.

Duke qene mikpritës, presidenti nuk e ka kursyer nderimin ushtarak për gjeneralin amerikan.

NATO dhe partneriteti strategjik me SHBA janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin. Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj tyre janë unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni evropian i Shqiptarëve”, mësohet t’i ketë thënë ai gjeneralit amerikan.

Stërvitja do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme dhe 30 mijë trupa, 6 mijë nga të cilat të kalojnë nëpër Shqipëri në maj dhe Qershor.

Tv Klan