Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të bëjë detyrën e vetë sa i përket akuzave të ngritura nga opozita lidhur me koncesionet e inceneratorëve. E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ambasadorja amerikane Yuri Kim nënvizoi se është përgjegjësi e SPAK të bëjë verifikimin e provave.

“Kam të gjitha pritshmëritë se SPAK do të bëjë pjesën e vetë, do të shohë provat dhe të vazhdojë procesin më tej”.

Kim e vlerësoi Reformën në Drejtësi si pozitive, duke evidentuar se Vettingu nxorri jashtë loje më shumë prokuror dhe gjyqtarë sesa ishin pritshmëritë në fillim të kësaj reforme.

“Mendoj se numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që u gjetën të korruptuar ishte shumë më i lartë sesa pritej. Deri tani mbi 60 përqind janë larguar nga sistemi”.

Sa i përket Reformës Zgjedhore, ajo tha se miratimi i ndryshimeve të tjera në Kod pa pëlqimin e opozitës nuk e shkel marrëveshjen e 5 Qershorit, por u shpreh e zhgënjyer që këto amendime nuk u bënë me të njëjtën frymë.

“Mendoj se deklarata që nxorri ambasada ishte shumë e qartë. Por ne nuk mund të mohojmë kompetencën e Kuvendit. Ajo që ndodhi përtej 5 Qershorit shkoi përtej 5 Qershorit, por nuk e shoh si shkelje të 5 Qershorit. Më vjen keq që pjesa e dytë e reformës nuk u bë si ajo e 5 Qershorit. Zhgënjyese që pjesa e dytë e reformës nuk u arrit si ajo e 5 Qershorit”.

Gjithsesi ambasadorja tha se tashmë rregullat janë përcaktuar, ndërsa nënvizoi se faktori ndërkombëtar do të ofrojë mbështetje që zgjedhjet të jenë të lira dhe të barabarta.

“Rregullat janë përcaktuar tashmë dhe partitë duhet të qendrojnë të angazhuara në këtë proces. Ndërkombëtarët do të marrin pjesë për të ofruar mbështetje. Mendoj se do jetë një stinë e ashpër politike”.

Pyetjes lidhur me retorikën që ka ndërmarrë kreu i shtetit javët e fundit, ambasadorja iu përgjigj: “Presidenti duhet të luajë rolin si unifikues i popullit. Ndaj pres që të luajë një rol shumë pozitiv”.

Tv Klan