Pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore mes palëve politike, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka dhënë një mesazh para mediave duke thënë ndër të tjera se SHBA është krenare dhe se do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE.

Kim tha se të gjitha palët që kanë qenë në këtë tryezë, diskutim i cili ka zgjatur për orë të tëra, kanë hequr dorë apo kanë dhënë diçka, për të arritur në këtë marrëveshje që është për të mirën e Shqipërisë.

“Jemi shumë të lumtur që Këshilli Politik arriti një marrëveshje sot, në sajë të orëve të gjata të punës së dhënë nga të gjithë ata që kanë qenë në tryezë. Çdo kush ka kontribuar shumë në diskutim, por edhe kanë hequr dorë apo kanë dhënë diçka, dhe e kanë bërë këtë që Shqipëria të fitojë.

Dikush do ta kritikojë këtë marrëveshje si jo të mjaftueshme, por po ta shikojmë në një kuadër të gjerë kjo është një gjë për të cilën shpresoj në mbështetjen e të gjithëve. SHBA është krenare për këtë marrëveshje dhe do t’ju mbështesim në rrugën europiane”.

Ndërkaq ambasadori i BE-së, Luigi Soreca deklaroi se opozita kërkoi të rishikonte depolitizimin e administratës zgjedhore, diçka që u pranua nga mazhoranca.

Marrëveshja e sotme sipas tij ka afruar Shqipërinë me BE-në.

“Mazhoranca e pranoi marrëveshjen dhe kjo është ajo që u arrit. Shqipëria është më afër BE-së pas kësaj marrëveshje. Një nga kushtet për çeljen e negociatave të aderimit do të përmbushet së shpejti. Kjo vjen dhe në momentin e duhur pasi javën që vjen KE do të vendosë kuadrin negociator”/tvklan.al