Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, teksa ka folur për procesin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka thënë se pandëshkueshmëria duhet të marrë fund. Në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kim tha se janë hapur disa çështje të rëndësishme dhe tha se nuk është e vërtetë që nuk ka përparim të drejtësisë në vend.

Diplomatja amerikanë ka folur dhe për Byronë Kombëtarë të Hetimit duke thënë se procesi i krijimit të këtij institucioni dhe trajnimit të hetuesve po shkon shumë mirë.

Blendi Fevziu: Ambasadore, numrat janë numra, nuk po them gjë për numrat, por problemi është tek rastet konkrete, shembujt e mëdhenj që publiku nuk po i sheh ende. Le të themi, të mëdhenjtë, personat e rëndësishëm, personat me pushtet, këta nuk janë ende nën hetim.

Ambasadorja Yuri Kim: Shiko, nuk mund…

Blendi Fevziu: Sepse njerëzit, lidhur me reformën në drejtësi, kishin parasysh peshqit e mëdhenj, po përdor këtë term të vjetër, që do të hetoheshin. Megjithatë, deri tani, nuk kemi emra të mëdhenj, të fuqishëm nën hetim…

Ambasadorja Yuri Kim: Do të jem e drejtpërdrejtë siç jam zakonisht. Mendoj se jeni keqinformuar…

Blendi Fevziu: Pse?

Ambasadorja Yuri Kim: Dhe mendoj se po përsërisni diçka që është e rreme. Ka pasur çështje të mëdha që janë shpallur…

Blendi Fevziu: Për shembull?

Ambasadorja Yuri Kim: Dhe ju nuk flisni për to. Nuk do t’i përmend me emër sepse nuk dua të ndërhyj në çështje në vazhdim…

Blendi Fevziu: Raste të mëdha për të cilat nuk flet media?

Ambasadorja Yuri Kim: Po. Për shembull, Verën e shkuar, u shpall një çështje e madhe, e cila përfshinte trafikun e drogës që ka një lidhje me median dhe biznesin. Ju nuk flisni për të dhe pastaj të gjithë pretendoni që nuk po ndodh asgjë. Ka prokurorë, ka mjekë, ka të tjerë që po hetohen. Tani, nëse më thua që askush nuk do ta besojë deri sa politikani më i madh apo, kushdo tjetër, të jetë në burg, mendoj që po injoroni faktet dhe vazhdoni propagandën. Thjesht nuk është e vërtetë që nuk ka përparim. Në fakt, ka pasur përparim të jashtëzakonshëm. Pra, nuk mund të më thuash nga njëra anë që i pranon shifrat e mia, por nga ana tjetër nuk pranon të vërtetën për atë që po ju them.

Blendi Fevziu: Jo, jo, po flas për shembujt e mëdhenj…

Ambasadorja Yuri Kim: Pra, nëse do të isha si ju, do t’ju nxisja të kërkoni më shumë dhe të jeni më të guximshëm në raportimin e fakteve se kush nuk po hetohet dhe për çfarë. Mos pretendoni se nuk po ndodh asgjë sepse është shërbim i keq për popullin shqiptar.

Blendi Fevziu: Do të pyes zyrtarisht kreun e SPAK-ut dhe të shohim ç’do ndodhë.

Ambasadorja Yuri Kim: Ju lutem bëjeni.

Blendi Fevziu: Ka shumë pretendime, sidomos nga opozita, që reforma në drejtësi është kapur nga Rama dhe është përdorur prej tij, edhe SPAK. A keni ndonjë koment për këtë?

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk kam asnjë koment për këtë.

Blendi Fevziu: Dhe çfarë mendoni për rastet e mëdha që SPAK do të ketë në të ardhmen? Keni thënë në deklarata që po hetojnë tri apo katër çështje të mëdha. Çfarë mendoni, do të kenë rezultate konkrete për çështjet e mëdha në të ardhmen?

Ambasadorja Yuri Kim: Besoj që po. Shikoni, qoftë reforma në drejtësi dhe veprimtaria e SPAK dhe të tjerë, qoftë krimet zgjedhore, qoftë sjellja në përgjithësi, askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po i afrohet fundit.

Blendi Fevziu: Të shpresojmë.

Ambasadorja Yuri Kim: Të shohim. Dhe, një e vërtetë tjetër: media, reporterët, ju, duhet të jeni më të guximshëm për të raportuar çfarë po ndodh. Vë re kur çështje të caktuara shkojnë në gjykatë, askush nuk flet për to. Vë re që kur njerëzit…

Blendi Fevziu: Po, është e çuditshme.

Ambasadorja Yuri Kim: Janë të dyshuar, askush nuk flet për ta. Pse, më thoni pse?

Blendi Fevziu: Varet nga çështja. Zakonisht studio është gjithmonë e hapur dhe…

Ambasadorja Yuri Kim: Dëgjoj për telefonatat që iu bëhen shefave të studiove. I dëgjoj këto.

Blendi Fevziu: Për të ndaluar.

Ambasadorja Kim: Ky është problemi, të mosfolurit për çështje të caktuara. Pra ky është problem. Është problem propaganda. Është problem perceptimi.

Blendi Fevziu: Është skandal nëse ka ndodhur.

Ambasadorja Kim: Është problem pushteti. Pandëshkueshmëria duhet të marrë fund. Reporterët, gazetarët kanë një rol për këtë. Sigurisht, rolin më të madh e kanë ligjzbatuesit, por të mos bëjmë sikur.

Blendi Fevziu: Ambasadore, BKH është rrugës por jo e plotë. Pse është kaq e vështirë?

Ambasadorja Yuri Kim: Në fakt po bëjnë shumë përparim aty. Janë 30 e ca hetues që pothuajse kanë përfunduar trajnimin tani. Ka pasur një raund të dytë thirrjesh për më shumë hetues. Kjo do të marrë disa muaj më shumë. FBI jonë është përfshire në trajnim. Pra, është një proces emocionues.

Blendi Fevziu: Në ndihmë të BKH?

Ambasadorja Yuri Kim: Po ofrojnë trajnime në fillim dhe sipas nevojës do të ofrojnë edhe këshilla./tvklan.al