Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, ambasadorja amerikane Yuri Kim i është referuar raportit paraprak të ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, kur tha se në 25 Prill u vunë re raste të shit/blerjes së votave dhe fenomene të tjera, për të cilat thotë se nuk duhet të ekzistojnë më në zgjedhjet e ardhshme.

Duke iu referuar këtyre rasteve, ambasadorja Kim tha se SPAK dhe autoritetet kompetente duhet t’i marrin seriozisht denoncimet për krimet zgjedhore dhe të hetojnë të gjitha këto ngjarje.

Blendi Fevziu: Ka dy qëndrime të ndryshme ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Partia Socialiste deklaroi fitoren. Partia Demokratike deklaroi fitoren vonë ditën e zgjedhjeve, por ditën tjetër thanë se ishin zgjedhjet më të këqija në historinë e Shqipërisë pas vitit 1990. Ku qëndron e vërteta midis këtyre dy qëndrimeve, sipas jush?

Ambasadorja Kim: Do e referoja cilindo tek raporti paraprak i ODIHR. Mendoj se ata janë ekspertët e vërtetë dhe pikëpamjet aty janë shumë të rëndësishme për t’u shënuar dhe për t’u marrë seriozisht.

Blendi Fevziu: Dhe kur do ta kemi raportin përfundimtar të ODIHR?

Ambasadorja Kim: Nuk e di. Duhet të pyesni ata.

Blendi Fevziu: Normalisht, është ODIHR që certifikon zgjedhjet, por kemi probleme të brendshme, sepse të gjithë e dinë që shitja ose blerja e votës, një proces i dyanshëm, jo vetëm blerja, është një fenomen në Shqipëri. A keni parë shenja të këtij fenomeni dhe çfarë mendoni për këtë?

Ambasadorja Kim: Është një problem që ishte në raportin paraprak të ODIHR, përveç disa aktiviteteve të tjera që shpresojmë se do të eliminohen nga zgjedhjet në Shqipëri. Dhe mendoj se kjo do të ndodhë, por siç e përmenda më herët, tani ka dy gjëra që duhet të ndodhin. Së pari, janë paraqitur një numër ankimesh në SPAK, tek prokurorët dhe ligjzbatuesit. Ata duhet t’i marrin këto seriozisht dhe t’i hetojnë të gjitha këto raste dhe…

Blendi Fevziu: …kanë filluar shumë raste…

Ambasadorja Kim: …kanë filluar shumë raste dhe unë e ndjek nga shumë afër këtë. Me sa kuptoj, deri tani, janë paraqitur 143 ankime dhe nga këto, 54 janë regjistruar sepse hetuesit vendosin cilat kanë meritë dhe cilat jo; cilat duhen hetuar nga SPAK dhe cilat nga prokuroritë e rretheve, bazuar në kompetencat e tyre. Me sa kuptoj, tani janë 37 çështje duke u hetuar në mënyrë aktive. I presim rezultatet e këtyre. Siç e dini, KQZ po shikon ankimet që janë dorëzuar, pra ka një proces.

Blendi Fevziu: Thatë që kishte disa probleme të vogla, të cilat, sipas jush, problemet e zgjedhjeve?

Ambasadorja Kim: E dini, ju referoj tek raporti i ODIHR. Ju e dini po aq mirë sa unë se çfarë thotë ai raport.

Blendi Fevziu: Problemi tjetër është që shumica e njerëzve nga opozita thonë se shumica ndryshoi rregullat e lojës gjatë lojës. I referohen marrëveshjes së 5 Qershorit, në parlament, dhe në Korrik, çka ndryshoi koalicionet dhe të tjera. A ishte…?

Ambasadorja Kim: Mendoj se…

Blendi Fevziu: Keni bërë një deklaratë për këtë …

Ambasadorja Kim: Mendoj se kam folur qartë për këtë. Mendoj se mënyra në të cilën u arrit 5 Qershori duhet të kishte qenë modeli për të gjitha ndryshimet. Në të njëjtën kohë, parlamenti ka kompetencat e tij. Po e lë me kaq.

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, PD tani kërkon një hetim të plotë dhe, nga ana tjetër, po kërkojnë përsëritjen e votimit në 9 zona. Çfarë mendoni për këtë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka një proces të ngritur. Pra, KQZ duhet të hetojë dhe të marrë disa vendime. Dhe, mendoj se kushdo ka të drejtën të paraqesë ankimime tek prokurorët dhe tek KQZ, nëse kanë prova për këtë.  /tvklan.al