“Kemi porositur 2.5 milionë vaksina për popullatën”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, paralajmëroi një afat të ri për arritjen e vaksinave me të cilat pritet të fillojë imunizimi i popullatës. Kryeministri tha se në fund të Marsit do të arrijë dërgesa e parë e vaksinave të kompanisë Pfizer.

“Arriti marrëveshja e kompanisë Pfizer. Deri në fund të Marsit do të marrim 21.000 doza të vaksinave. Në kuartalin e dytë do të marrim sasi më të mëdha. Nuk bëhet fjalë për jo seriozitet, populli e di se e gjithë bota përballet me mungesë vaksinash. Ne si qeveri kemi bërë shumë më shumë se ç’duhet për t’i siguruar sasitë e nevojshme”.

Kryeministri Zaev sqaroi se Maqedonia e Veriut deri më tani ka porositur 2.5 milionë doza vaksinash nga prodhues të ndryshëm, kurse, siç tha, për arritjen e imunitetit kolektiv, duhet të vaksinohen 1 milion qytetarë.

“Na duhen 2 milionë doza. Ne kemi porositur 800.000 nga Pfizer, 833.000 nga mekanizmi Covax, 200.000 nga Kina dhe 200.000 nga Rusia. Kemi edhe nga BE-ja përmes grantit prej 70 milionë eurove për Ballkanin Perëndimor si dhe donacionet e paralajmëruara nga fqinjët me çka presim të arrijmë deri në 2.5 milionë doza”

Në Maqedoninë e Veriut, deri më tani janë vaksinuar vetëm një pjesë e personelit mjekësor me vaksinat kompanisë Pfizer që arritën nga Serbia.

Tv Klan