Shmangen zgjedhjet e parakohshme, Alternativa merr 3 ministri

Maqedonia e Veriut ka  një shumicë të re qeverisëse, e cila do të drejtohet sërish nga socialdemokratët e LSDM-së. Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi nënshkruan këtë të diel në shkup marrëveshjen e bashklëpunimit qeveritar, duke krijuar kështu një mazhorancë të re parlamentare dhe duke I dhënë fund kështu krizës politike që ishte krijuar që pas zgjedhjeve vendore të tetorit të shkuar.

Në një dalje të përbashkët për media, ata konfirmuan se vendi ka një shumicë të re të qëndrueshme.

“Në Maqedoninë e Veriut ka shumicë stabile parlamentare. Shumicë stabile parlamentare dhe qeveri stabile do të thotë se koalicioni qeveritar ndërmerr përgjegjësinë për një të ardhme të sigurt si për shtetin ashtu edhe për qytetarët”

Sipas marrëveshjes së arritur Alternativa do të drejtojë 3 minitri, përkatësisht Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës si dhe Ministrinë për Diasporën.  Gjithashtu Alternativa do të ketë edhe tre zv. ministra, atë të Arsimit, Kulturës dhe me shumë mundësi edhe atë të Bujqësisë.

Në konferencën e përbashkët për mediat Zaev tha se tashmë me këtë marrëveshje nuk do të ketë më zgjedhje të parakohshme. Por me rikonfigurimin e mazhorancës aktuale tashmë pritet që të rikonfigurohet edhe qeveria, e cila sipas mediave në Maqedoninë e Veriut do ketë një kryeministër të ri.

Klan Macedonia