Mollë sherri ishin dallimet lidhur me fatin e Prokurorisë së Posaçme Publike që po merret me zbardhjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mazhoranca propozon që ky institucion të bëhet pjesë e Prokurorisë Publike, por me ingerenca dhe financa të caktuara, kurse opozita mbron qëndrimin se ky dikaster nuk duhet të ketë buxhet të vetin.

“Çështja është nëse do të bllokohet sërish vendi ynë dhe do të humbasë fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për llogari të mbrojtjes së kriminelëve”,

tha Kryeministri Zoran Zaev.

“Ne këtë problem e shikojmë në mënyrë thelbore. Nuk e shikojmë si numër. Ajo që bëni ju është sipas parimit ‘merre ose lëre’. Ky parim është i pandershëm ndaj qytetarëve që dhanë votën e tyre për opozitën si dhe për ata që dhanë votën për pozitën”,

u shpreh Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickosi.

Një tjetër çështje ishte nëse opozita e sotme, VMRO-DPMNE, nesër vjen në pushtet, a ka për ta njohur Marrëveshjen e Prespës?

Do të punojmë që të korrigjojmë gjithë pasojën që është rezultat i kësaj marrëveshjeje dhe këtë kurrë, kurrë nuk do të rreshtim ta bëjmë”,

tha Mickosi. 

“Fituam gjithçka që deshën paraardhësit tanë, baballarët e gjyshërit! Dhe kjo është arritja. Këta nuk guxojnë të pranojnë, të bëjnë hapin përpara e të ndërtojnë qëndrim, për shkak se nuk thotë nëse ka për ta anuluar ose jo Marrëveshjen”,

iu shpreh Zaev.

Sipas analistëve, megjithëse i shitur si “duel i dhjetë vjeçarit”, përballja dy orëshe e Kryeministrit Zaev dhe shefit të opozitës maqedonase Mickoski, veç vullnetit të ballafaqimit, nuk solli ndonjë cilësi e as sinjal për uljen e tensioneve dhe të retorikës tashmë të njohur, të cilën shumëkush e vë në funksion të fushatës parazgjedhore për Presidencialet e 21 Prillit.

Tv Klan