Autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk e humbasin shpresën se progresi në marrëdhëniet me Bullgarinë, është i mundur shpejt, madje edhe me qeverinë e përkohshme në Sofje, pasi pas zgjedhjeve në Prill asnjë parti nuk arriti të formojë kabinet të ri.

“Shpresoj, edhe pse Bullgaria logjikisht përsëri do të shkojë në zgjedhje parlamentare, se megjithatë mund të gjejmë zgjidhje me qeverinë e përkohshme që do ta emërojë Presidenti Radev, sepse gjithsesi kemi pritur të jenë politikanë të përgjegjshëm me të cilët mund të ulemi dhe gjejmë zgjidhje. Problemi është joracional, por duhet të gjejmë zgjidhje”, është shprehur Zoran Zaev.

I pyetur në qoftë se është nën presionin e faktorit ndërkombëtar për të pranuar kompromis me çdo kusht, Zaevi është kategorik.

“Me çmim të identitetit maqedonas dhe të gjuhës maqedonase nuk kemi nevojë për BE-në, sepse do të jemi pluhur i humbur në erë, kush do të hyjë në BE?”, ka thënë Zoran Zaev.

Për momentin është e pasigurt nëse kabineti i përkohshëm në Sofje do ta vendosë në mesin e prioriteteve të tij çështjen për kontetsin me Maqedoninë e Veriut. Presidenti bullgar Rumen Radev, i cili tashmë e ka paralajmëruar shpërndarjen e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së përkohshme deri te zgjedhjet e reja, u bëri thirrje partive që të punojnë me përgjegjësi.

 “Në qoftë se edhe atëherë nuk formohet kabinet mund të biem në krizë politike dhe kushtetuese. Partitë duhet t’i rimendojnë prioritetet e tyre në emër të Bullgarisë. Para nesh janë muaj të tensionuar, duhet të punojmë me përgjegjësi dhe në mënyrë ekspeditive që ta shmangim kaosin”, ka thënë Rumen Radev.

Bullgaria insiston që autoritetet në Shkup të pranojnë se kombi, gjuha dhe historia maqedonase janë me rrënjë bullgare, duke e kushtëzuar procesin aderues të vendit në Bashkimin Evropian. Ky qëndrim është përhapur gjerësisht në mjedisin politik bullgar, kështu që edhe me përbërje të re të Qeverisë në Sofje, shpresat për ndryshim janë të vogla. 

Klan News