Zaev-Gashi: Arrihet pajtueshmëri kryesisht në aspektet programore



Zaev-Gashi: Arrihet pajtueshmëri kryesisht në aspektet programore

20:15 29/11/2021

Zaev: Kishim takim konstruktiv, kemi konkluzione

Është arritur pajtueshmëri kryesisht për aspektet programore të bashkëpunimit të mundshëm, vijojnë konsultimet rreth zgjidhjeve kadrovike dhe pozicioneve. Kështu qëndron në komunikatën e kabinetit qeveritar pas takimit mes kreut të LSDM-së Zoran Zaev dhe atij të Alternativës, Afrim Gashi. Pas takimit asnjëri nuk u prononcua për media, por Zaev shkurt u tha gazetarëve se ishte një takim konstruktiv dhe se janë arritur disa pajtueshmëri.

“Sot kishim takim konstruktiv, kemi konkluzione, shërbimet e pres qendrës, menjëherë do t’i ndaj me të gjithë ju”, tha Zaev.

Në komunikatë informohet se konsultimet me partitë do të vazhdojnë edhe ditëve në vazhdim, ndërsa më pas do të ketë edhe një takim pune mes Zaevit dhe Gashit me ekipet.

“Filluan bisedimet për marrjen dhe ndarjen e përgjegjësive në interes të qytetarëve dhe shtetit, pas çka janë shkëmbyer mendime rreth zgjidhjeve të mundshme kadrovike që duhet të ndërmerren detyrimet dhe përgjegjësitë potenciale, gjegjësisht për pozicionet kompetente, ministra, zëvendësministra dhe persona tjerë udhëheqës në korniza të pushtetit qendrorë”.

Para takimit Afrim Gashi tha se në këtë takim do të dëgjojë konceptin e kryeministrit.

“Nuk është punë e kërkesave tona, thamë se ne do ta dëgjojmë njëherë konceptin e tyre, ndërsa pastaj në parti do ta diskutojmë se a përputhet koncepti jonë me konceptin e tyre. Për ne është me rëndësi që të ndihmojmë që vendi të dalë nga kriza por do të duhet ta shohim vetveten si një prej hallkave, apo pjesë të mozaikut, e cila ndihmon që vendi të del nga këto kriza të cilat i përmenda”, tha Gashi.

Gashi tha se edhe përskaj faktit që Alternativa është kundër zgjedhjeve të shpejta, nuk mund të ketë garanci se mandati i kësaj qeverie do të zgjas deri në vitin 2024, pasi siç tha, në çdo kohë mund të mblidhen 61 deputetë dhe të vendosin që të shpallen zgjedhjet. Kujtojmë se vendimi për kyçje të mundshme të Alternativës në shumicën qeveritare, vjen pas dorëheqjes së kryeministrit dhe dështimit të opozitës që të votojë mosbesimin e Qeverisë.  

Klan Macedonia








Të ngjashme