“Angazhim edhe i Brukselit për të gjetur zgjidhje”

Takimi në Bruksel midis Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kryeministrit Zoran Zaev do të duhet ta tregojë drejtimin në të cilin do të vazhdojë dialogu në mes Brukselit dhe Shkupit, tashmë një vit i gjysmë i ndërprerë në samitin në prag të negociatave aderuese, për shkak të pengesës që e vendosi Bullgaria fqinje.

Zaev në takimin e shkurtër ka kërkuar përfshirje më aktive të KE-së për zhbllokim të procesit, me kushtin që në tavolinë mos jenë identiteti dhe gjuha maqedonase, me të cilat kushtëzon Bullgaria.

“Identiteti maqedonas përveç që është çështje e krenarisë, është edhe çështje e fakteve, e shkencës dhe e simbolikës kombëtare të popullit tonë. Ai nuk është nuk do të jetë objekt i negociatave. Vlerat evropiane janë udhëzues për ne, por mbrojtja e identitetit është gjithashtu vlerë evropiane.”

Në përgjigje, siç njofton kabineti i Kryeministrit Zaev ka premtime për angazhim më thelbësor të Komisionit Evropian, me vlerësimin  se bëhet fjalë për proces të rëndësishëm.

“Siç ka theksuar Ursula von der Leyen ky është proces shumë i rëndësishëm që nuk guxon ta shtyjë fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE. Ajo angazhohet që të dyja vendet,  Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, së bashku t’i vazhdojnë negociatat pa shtyrje të mëtejshme.”

Paraprakisht, për herë të dytë brenda një jave, Zaev ka biseduar edhe me komisionerin e BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili javën e kaluar qëndroi në Shkup dhe haptazi sugjeroi se në qoftë se zgjat kontesti me Bullgarinë, nuk përjashtohet që Shqipëria ta nisë rrugën evropiane vetëm dhe jo në pako me Maqedoninë e Veriut.

Kjo nga ngritur një sërë qëndrime të ndryshme nga politikanët evropianë, të cilët insistojnë që dosjet e të dyja vendeve për momentin të mos ndahen. Bindje të këtillë ka marrë edhe Presidenti Stevo Pendarovski, i cili qëndroi në Bruksel para disa ditëve.

 “Varhelyi këtë e thotë si mundësi potenciale, në qoftë se kontesti ynë me Bullgarinë zgjat me vite si me Greqinë. Në Bruksel mua nuk ma parashtruan këtë pyetje, askush nuk mendon për ndarje, por të gjitha forcat i investojnë që deri në fund të këtij viti të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.”

Gazeta vieneze “Standard” duke cituar burime të larta nga Brukseli sugjeron se komisioneri i BE-së për zgjerim, hungarezi Oliver Varhelyi nuk përjashtohet që me deklaratat për lënien anësh të Maqedonisë së Veriut të tregojë besnikëri ndaj kryeministrit të tij Viktor Orban me qëllim që t’i ndihmojë partisë së djathtë opozitare maqedonase.

Klan Macedonia