Zoran Zaev deklaron se po bëhet çmos për të arritur një zgjidhje me Bullgarinë, por se ka çështje për të cilat nuk negociohet askund në botë dhe që nuk do të negociohet edhe në rastin konkret.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se është optimist se mosmarrëveshjet me Bullgarinë mund të zgjidhen dhe se po bëhet çmos për të arritur një zgjidhje. “Përmes optimizmit po dërgojmë mesazh se po bëjmë gjithçka për të arritur zgjidhje, unë jam po ai që para një muaji, e informova popullin se ka mundësi që mos të kemi ndonjë zgjidhje, respektivisht që ka mundësi të mos mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së për shkak të vetos së paralajmëruar nga pala bullgare”, tha Zoran Zaev.

Sipas tij Maqedonia e Veriut do të bëjë deri në momentin e fundit gjithçka, por ka çështje për të cilat askund në botë nuk negociohet dhe që nuk do të negociohet edhe në rastin e Maqedonisë së Veriut: “Edhe pala bullgare e kupton se identiteti dhe gjuha jonë janë ndjenja dhe të drejta që na përkasin neve, shtetet nuk negociojnë për këtë punë. Ne po provojmë të kërkojmë zgjidhje që është e pranueshme për të dy palët, por definitivisht këmbëngul që ka mundësi të mos mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në”, deklaroi Zaev.

Pisonero: Të dyja vendet duhet të gjejnë kompromisë

Komisioni Evropian nuk heq dorë nga fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se të dyja palët duhet të gjejnë kompromis dhe se mund të tejkalohen mosmarrëveshjet. “Inkurajojmë të dy palët që të vazhdojnë me përpjekjet për gjejtjen e zgjidhjes për problemet e tyre bilaterale”, tha zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero.

Më 17 nëntor duhet të mbahet mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-së ku do të bisedohet për zgjerimin dhe në të cilën duhet të sillet vendim për miratimin e kornizës negociuese të BE-së me Maqedoninë e Veriut, por Bullgaria tani për tani nuk lëshon pe dhe thotë se nuk mund të jepet dritë jeshile derisa nuk gjehet kompromis rreth çështjeve të gjuhës dhe temave historike.

Cili do të lëshojë pe i pari?

Analistët politikë në vend mendojnë se deri tek arritja e një kompromisi midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është vështirë të arrihetë në këtë periudhë kur në Bullgari ka një fushatë parazgjedhore.

“Kryeministri bullgar Borisov është i përmbajtur, unë nuk besoj se është i përmbajtur sepse ka ndryshur mendim, por është politikan i Ballkanit i cili ruhet edhe për ardhmërinë e vet politike. Ciprasi e pagoi cekun politik për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Mendoj se nga ana tjetër Borisovi është më i kujdesëshëm të mos e bëjë atë”, mendon Albert Musliu, analist politik.

Duke marrë parasysh qëndrimet midis dy shteteve, Simonida Kacarska nga Qendra për Politika Evropiane, thotë se nuk sheh shumë hapësirë për koncesione nga pala maqedonase. “Unë mendoj se qeveria e Bojko Borisovit duhet të tregojë nëse i ka premtuar diçka publikut të saj nga ato kërkesa maksimaliste që kishte. Konsideroj se kërkesat e ndjeshme nuk mund të pritet të jenë pjesë e këtij dokumenti që po diskutohet,” thotë Kacarska.

Analisti Sefer Selimi mendon se gjithçka nuk ka përfunduar, duhet deri në fund të shpresohet për arritjen e një kompromisi për të dyja palët. “Mbetem optimist që nëse jo tani, në Samitin e përgjithshëm në Samitin e dhjetorit do të gjehet një kompromis dhe Gjermania do ta marrë atë simbolikë për të cilën lufton që është fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë presidencës së saj me Këshillin Evropian”, deklaron Selimi.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në gusht të vitit 2017 nënshkruan Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Kjo marrëveshje ka për synim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve fqinje, që kanë të bëjnë kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë si dhe mosmarrëveshjeve rreth ngjarjeve historike./DW