Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka folur sot me tone optimizmi për mundësinë e votimit me dy të tretat të ndryshimit të Kushtetutës, duke lënë të kuptohet se nuk ka kthim prapa dhe, gjithnjë sipas tij, Maqedonia nuk ka as alternativë e as opsion tjetër veç integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Unë jam optimist, jam i relaksuar, Maqedonia po e përjeton kohën e bukur historike ku qytetarët kanë mundësi dhe të drejtë të vendosin, ata vendosën. Mbrëmë qeveria vendosi, tani do të vendosë Parlamenti”.

Ai ka përgenjështruar të gjitha spekulimet e kohëve të fundit se deputetëve janë ofruar shuma të mëdha parash për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese, ndërkohë që ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme si rrugëdalje nga ngërçi i krijuar politik.

“Opsioni i vërtetë është Parlamenti. Maqedonisë nuk i duhet të shpenzojë edhe dy-tre muaj të tjerë dhe të gjithë e dinë se nëse shkojmë në zgjedhje kush do të fitojë si shumicë dhe kush do të ketë shumicën e re të dy të tretave. Por dy-tre muaj do të kenë ikur dhe atëherë FMN-ja do të flasë për uljen e rritjes ekonomike nëse ne shpenzojmë kështu kohën e shtetit.

Nuk duhet ta humbasim asnjë ditë, afatet janë të qarta, rregullorja është e qartë, sa kohë zgjat plenarja, sa kohë zgjasin debatet në komisione. Ne duhet t’u përmbahemi pikërisht këtyre afateve, por për afate të tjera mos e dashtë Zoti të bisedojmë, kështu që duhet të jemi maksimalisht të fokusuar, t’ia dalim përmes parlamentit”.

Ndërkaq, në një reagim me shkrim të partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, thuhet vendimi i Kryeministrit Zaev për ndryshim të Kushtetutës në fakt nëpërkëmb popullin maqedonas. Sipas opozitës, Zaev, duke mos hequr dorë nga marrëveshja kapitulluese me Greqinë, ka vënë karrierën e tij mbi interesat shtetërore e kombëtare maqedonase.

Tv Klan