Nuk përjashtohet koalicioni me BDI-në

Mandatin për formim të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të para një muaji, presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sot ia dorëzoi liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili me 46 mandate deputetësh do të sigurojë shumicë parlamentare prej 61 dhe më shumë, në negociata me partitë e bllokut politik shqiptar.

Zaev thekson se përgatitet të jetë kryeministër në 4 vitet e mandatit, por pikërisht kjo çështje është pengesa në negociatat me BDI-në, parti e cila me 15 mandate deputetësh insiston në kryeministër shqiptar, të paktën një vit nga mandati i kryeministrit. 

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski tha vetëm një fjali, pasi bashkë me liderin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, dolën nga Vila Vodno, pas një takimi të shkurtër.

“Në bazë të nenit 84, paragrafi 1, alinea 1 dhe në përputhje me nenin 90, paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe propozimit të koalicionit “Mundemi” për mandatet për formim të qeverisë së RMV-së e caktoj Zoran Zaevin, kryetar i LSDM-së dhe deputet në Kuvendin e RMV-së”, u shpreh Pendarovski. 

Në afatin ligjor prej 20 ditësh, por edhe më pak, siç thotë, ish-kryeministri premton se do të ketë program dhe kuadro të zgjedhura, për qeveri stabile, me atributet për të cilat flet një kohë më të gjatë. 

“E çliruar nga çfarëdo qoftë paragjykim etnik ose çfarëdo qoftë nacionalizma, qeveri e cila do ta zhvillojë edhe më shumë konceptin një shoqëri për të gjithë. Para Kuvendit të Maqedonisë do të propozoj qeveri e përbërë nga kuadro cilësore, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse, e cila është e vendosur dhe fuqishëm do të luftojë me krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, ndërsa vëmendje të posaçme do t’i kushtojë pjesës për pastrim të sistemit gjyqësor dhe për verifikim të prejardhjes së parave të çdo funksionari”, thalideri i LSDM-së.

Në pyetjen nëse do ta pranojë formulën për ndarjen e viteve të kryeministrit, në të cilën insiston BDI-ja, partia fituese në bllokun politik shqiptar me 15 deputetë, ose përgatitet për mandat të plotë, Zaev u përgjigj:

“Po, unë sot e marr mandatin dhe përgatitem të jem kryeministër i kësaj qeverie 4 vite, me mandat të plotë, por gjithsesi një nga temat e negociatave është edhe ajo, ky është realiteti, bëhet fjalë për dy subjekte të mëdha politike, koalicioni “Mundemi” dhe BDI-ja si parti politike, edhe këtu gjithsesi se bisedimet janë të hapura. Unë përgatitem dhe jam i gatshëm ta pranoj në tërësi nderin dhe përgjegjësinë sepse jam shumë i lumtur që pas të gjitha këtyre vendimeve të mëdha që i miratuam në plan të jashtëm dhe të brendshëm, kam nderin dhe përgjegjësinë t’u dërgoj porosi politikanëve të rajonit, por edhe të Evropës dhe të botës, se nuk është e vërtetë që politikanët që marrin vendime të guximshme, të mençura dhe të drejta për popullin e tyre është shumë e sigurtë se largohen nga historia politike. Jo”.

Këtë vetëbesim ish-kryeminstri e bazon në porosinë që votuesit e dhanë në zgjedhje, kur LSDM-ja me partitë në koalicion mori më shumë mandate. Për këtë shkak nga BDI-ja kërkon fleksibiletet në negociatat që vazhdojnë.

Si deputet i zgjedhur, ai theksoi se nuk ka marrë ftesë për seancë parlamentare këtë pasdite, siç u paralajmërua dje nga kryetari i Kuvendit në largim, Talat Xhaferi, me qëllim që të zgjidhet pasardhësi i tij, që më vonë u tërhoq për arsye private.

Tv Klan