Zaev: Me çmimin e identitetit, s’kemi nevojë për BE-në



Zaev: Me çmimin e identitetit, s’kemi nevojë për BE-në

17:12 05/05/2021

“Negociata edhe me qeverinë e përkohshme bullgare”

Kryeministri Zoran Zaev shpreson se zgjidhje për kontestin me Bullgarinë rreth rrënjëve të të dy kombeve mund të gjendet edhe me kabinetin e përkohshëm qeveritar në Sofje, i caktuar nga Presidenti i shtetit deri në organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. Javën e ardhshme do të shpërndahet Kuvendi Popullor i Bullgarisë dhe do të emërohet Qeveri zyrtare, ka njoftuar Presidenti bullgar Rumen Radev, pasi asnjë parti nuk arriti të formojë Kabinet qeveritar, ndërsa zgjedhjet e reja parlamentare pritet që të mbahen më 11 korrik.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk e humbasin shpresën se progresi në marrëdhëniet me Bullgarinë, është i mundur shpejt, madje edhe me qeverinë e përkohshme në Sofje, pasi pas zgjedhjeve në Prill asnjë parti nuk arriti të formojë kabinet të ri. 

“Shpresoj, edhe pse Bullgaria logjikisht përsëri do të shkojë në zgjedhje parlamentare, se megjithatë mund të gjejmë zgjidhje me qeverinë e përkohshme që do ta emërojë Presidenti Radev, sepse gjithsesi kemi pritur të jenë politikanë të përgjegjshëm me të cilët mund të ulemi dhe gjejmë zgjidhje. Problemi është joracional, por duhet të gjejmë zgjidhje”, tha Zaev.

I pyetur në qoftë se është nën presionin e faktorit ndërkombëtar për të pranuar kompromis me çdo kusht, Zaevi është kategorik. 

“Me çmim të identitetit maqedonas dhe të gjuhës maqedonase nuk kemi nevojë për BE-në, sepse do të jemi pluhur i humbur në erë, kush do të hyjë në BE?”, tha ai.

Për momentin është e pasigurtë nëse kabineti i përkohshëm në Sofje do ta vendosë në mesin e prioriteteve të tij çështjen për kontekstin me Maqedoninë e Veriut. Presidenti bullgar Rumen Radev, i cili tashmë e ka paralajmëruar shpërndarjen e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së përkohshme deri te zgjedhjet e reja, u bëri thirrje partive që të punojnë me përgjegjësi. 

“Në qoftë se edhe atëherë nuk formohet kabinet mund të biem në krizë politike dhe kushtetuese. Partitë duhet t’i rimendojnë prioritetet e tyre në emër të Bullgarisë. Para nesh janë muaj të tensionuar, duhet të punojmë me përgjegjësi dhe në mënyrë ekspeditive që ta shmangim kaosin”, tha Radev.

Bullgaria insiston që autoritetet në Shkup të pranojnë se kombi, gjuha dhe historia maqedonase janë me rrënjë bullgare, duke e kushtëzuar procesin aderues të vendit në Bashkimin Evropian. Ky qëndrim është përhapur gjerësisht në mjedisin politik bullgar, kështu që edhe me përbërje të re të Qeverisë në Sofje, shpresat për ndryshim janë të vogla. 

Klan Macedonia







Të ngjashme