Intensifikohen përpjekjet politike për sigurimin e shumicës prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese. Përkrahja e dhënë nga katër deputetët e Lëvizjes Besa të Bilal Kasamit dhe të Aleancës për Shqiptarët, në fazën e parë të procesit të ndryshimeve kushtetuese, është vënë në pikëpyetje prej se nuk u pranuan plotësisht kërkesat e tyre.

Të mërkurën në Kuvendin e Maqedonisë fillon faza përfundimtare e procesit të ndryshimeve kushtetuese. Kryeministri Zoran Zaev ka filluar takimet me opozitën shqiptare rreth sigurimit të shumicës së nevojshme prej dy të tretave.

“Duam të bisedojmë për të gjitha detajet. Ne si parti politike përkrahim fuqishëm procesin e anëtarësimit të vendit në strukturat euro-atlantike, por ajo që paraqet rezerva tek ata, ia vlen të bisedohet”.

Por, Kryeministri Zaev dhe lideri i Lëvizjes Besa në takimin e parë nuk kanë tejkaluar dallimet në qëndrime. BESA mbetet në kërkesat e saja, tashmë të shkrirë në amendamente, me të cilët kushtëzon përkrahjen për ndryshimet kushtetuese.

Siç thuhet në një komunikatë, Zaev dhe Kasami kanë dakorduar edhe një takim, në nivel të grupeve të punës, më së voni deri të martën, ku do të dihet qëndrimi përfundimtar i Lëvizjes Besa. Kjo parti, përpos zyrtarizimit të gjuhës shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë, kërkon edhe zëvendësimin e fjalës “maqedonase” në pjesën e shtetësisë ku do të qëndronte “qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev duhet të takohet edhe me liderin e Aleancës për Shqiptarët Ziadin Selën.

Tv Klan