Zaev nis bisedimet për shumicën e re


Zaev nis bisedimet për shumicën e re

20:25 18/11/2021

Takon nesër kryetarin e Alternativës

Kryeministri Zoran Zaev është në prag të formimit të Qeverisë së re” Zaev 3”.  Ai nesër do të takohet me kreun e Alternativës, Afrim Gashi, takim ky që do të zhvillohet tek klubi i deputetëve, dhe pritet të bisedohet mundësia që Alternativa t’i bashkëngjitet shumicës parlamentare dhe të bëhet pjesë e Qeverisë. Ministri i Jashtëm dhe funksionar i lartë i BDI-së, Bujar Osmani ka theksuar se shumica e re stabile në Kuvend është e padiskutueshme dhe do të shpallet javën e ardhshme.

“Ditët në vazhdim mozaiku i shumicës parlamentare do të realizohet dhe do të tejkalohen të gjitha problemet dhe sfidat. Shumica e re stabile është absolutisht e padiskutueshme dhe kjo do të ndodh në javët e ardhshme. Rruga deri tek ajo shumicë ka disa opcione, dhe për momentin po realizohen bisedime. Është shumë me rëndësi që forcat politike por edhe deputetët vendosën që në këtë moment të mos e shndërrojnë shtetin në pjesë të problemit, por pjesë të zgjidhjes së perspektivës tonë evropiane.”

Kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski vazhdon të insistojë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të shpejta. Ai thotë se marrja e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.

“Kërkesa për zgjedhje nuk është e lidhur me marrjen e datës. Nëse nuk kemi fillim të bisedimeve do të ketë zhgënjim të popullit. Unë nuk dua më shumë ta zhgënjejmë popullin, nuk janë në pyetje zgjedhjet. Zgjedhje duhet të ketë sa më shpejtë të jetë e mundur, që nesër, pasi që populli e ka delegjitimuar këtë qeveri të LSDM-së dhe Zoran Zaevit, data për fillimin e bisedimeve është mirënjohje nga ana e BE-së, për këtë popull, për këtë shtet që ka dhënë shumë për Evropën në dekadat e kaluara”.

Bisedimet për një shumicë të re stabile vijnë pas dështimit të votëbesimit të qeverisë dhe daljes së Lëvizjes BESA nga Qeveria.

Klan Macedonia








Të ngjashme