Maqedonia e Veriut, deri më tani është furnizuar vetëm me 4.680 vaksinat që arritën si donacion nga Serbia, kurse priten edhe dozat tjera, 200 mijë nga Kina dhe 103.200 nga AstraZeneka përmes mekanizmit Kovaks. Sipas parashikimeve të autoriteteve, numri I përgjithshëm I vaksinave që duhet të arrijnë deri në gjysmën e parë të vitit është rreth 310 mijë që sipas tyre për fillim është e mjaftueshme. Kryeministri Zoran Zaev, tha se vendi nuk e injoron vaksinën ruse “Sputnik V”

“Nuk e injorojmë vaksinën ruse. Nëse keni parasysh se kemi nënshkruar marrëveshje me KOVAKS dhe me PFIZER por kemi edhe marrëveshje me Kinën, do të kuptoni se nëse arrijmë marrëveshje edhe me Rusinë, ka mundësi të marrim më shumë doza se sa që na duhen”, shprehet Zoran Zaev.

Opozita maqedonase e cila vazhdimisht ka adresuar kritika për vonesën e vaksinave, këtë deklaratë të Kryeministrit e kanë quajtur qesharake. Lideri I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, përmes një postimi në Facebook ka theksuar se po të mos ishte ndihma nga Serbia, nuk do të injektoheshin as edhe punonjësit shëndetësor.

MSH-ja ka njoftuar se gjatë dy ditëve të kaluara janë vaksinuar 453 punonjës shëndetësor dhe se procesi vazhdon me intensitet të plotë nga e Hëna deri të Shtunën nga ora 08.00 deri ora 20.00.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë  së Veriut njoftoi se ka miratuar Aneksin e Marrëveshjes me “Lidhjen Globale të Vaksinave” për furnizimin e një vaksine përmes mekanizmit COVAX dhe për sigurimin e qasjes globale dhe të barabartë në vaksinat e sigurta dhe efektive për COVID-19. /KlanMacedonia