Maqedonia nuk duhet të shpresojë se vendi realisht mund të hyjë në NATO pa e zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë, me referencën e përkohshme. Këtë e ka konfirmuar kryeministri Zaev në intervistë për MIA, i pyetur për mundësinë e këtillë e cila përmendet në qarqe të caktuara.

Kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltemberg ishte këtu tha se kjo gjë nuk bëhet dhe kjo është qasje e ndershme. Le ta dimë, qytetarët e Maqedonisë të dinë se nëse nuk e zgjidhim problemin me Greqinë lidhur me emrin tonë kushtetues, nuk do të marrim ftesë për anëtarësim në NATO – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër i RM-së.

Zaev thotë se për të linjat e kuqe në kontestin me emrin janë dinjiteti dhe identiteti. Për ecurinë e bisedimeve, Zaev shprehet se rregullisht e njofton edhe opozitën me të cilën së bashku me presidentin Ivanov shpreson se do të gjejnë bazë të përbashkët për të mirën e shtetit. Lidhur me çështjen e bisedimeve për emrin, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se pret takim të liderëve pas takimit të paralajmëruar të ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë në Ohër.

Shohim një lloj të optimizmit të ri që kryeministri dhe ministri e artikulojnë në opinion. Të shohim ku bazohet kjo, a është optimizëm i paargumentuar apo kemi përparim të caktuar. Shpresoj që në këtë takim të liderëve do të mësojmë më shumë detaje – tha  Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

E vetmja gjë që Maqedonia mund të shpresojë nga NATO nëse nuk zgjidhet kontesti sa më parë është anëtarësim asocimi, shprehet kryeministri Zaev. Por, thotë se fare nuk mendon për këtë opsion, pasi qëllimi i vendit është të bëhet anëtare e Aleancës me të drejta të plota./ Alsat-M