Kryeministri maqedonas Zoran Zaev paralajmëroi presidentin Gjorge Ivanov se do të mbajë përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës me zvarritjen që po i bën nënshkrimit të ligjit për gjuhën shqipe.

“I bëj thirrje presidentit të nënshkruajë ligjin. Nëse është anti-kushtetues, këtë e vendosin më pas Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. Por duke mos e nënshkruar shkelet Kushtetuta dhe bllokohet funksionimi i Parlamentit. Kjo nuk është demokraci funksionale”.

Zaev shprehu edhe optimizmin se problemit me Greqinë për emrin e Maqedonisë do ti japë fund brenda pak ditësh me homologun Tsipras.

“ Nuk dua të hyj në detaje por them se është çështje ditësh zgjidhja e suksesshme e këtij procesi”.

Mediat shkruajnë se Zaev e Tsipras do të diskutojnë në telefon, vendin dhe datën e takimit ku do të nënshkruhet marrëveshja historike që i jep fund konfliktit 25 vjeçar. Kryediplomati grek Kotzias tha për mediat vendase se 3 janë propozimet përfundimtare “Maqedonia Veriore”, “Maqedonia e Epërme” dhe “Maqedonia e Re”.

Tv Klan