Kryeministri maqedon Zoran Zaev thotë se do të organizojë një referendum popullor për çështjen e emrit, përpara se të nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare me Athinën. Deklaratën e bëri në një intervistë për një televizion bullgar, pas takimit që zhvilloi në Shkup me ndërmjetësuesin ndërkombëtar Methju Nimiç.

“Referendumi duhet të jetë garanci shtesë që i jep fund të gjitha dyshimeve, teksa populli vendosë për zgjidhjen. Jam i bindur se maqedonasit janë të gatshëm ta pranojnë”.

Sipas Zaevit, edhe pala greke po shqyrton mundësinë e nisjes së një dialogu të brendshëm për këtë çështje në mënyrë që zgjidhja të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Por për palën greke, një referendum i tillë në Maqedoni minon negociatat pasi Athina është e bindur se shumica e maqedonasve nuk pranojnë tjetër variant emrit Maqedoni.

Bujë në mediat greke ka bërë edhe deklarata e papritur e ndërmjetësuesit Nimiç në Shkup se në negociatat me Athinën diskutohet vetëm çështja e emrit dhe jo identiteti i popullit maqedon. Çështja e identitetit, sipas tij nuk i takon Kombeve të Bashkuara për ta zgjidhur. E përditshmja “Protothema” hedh dyshime se ministri i jashtëm grek Nikos Kocias nuk po tregohet transparent me atë çfarë diskuton me palën maqedonase, pavarësisht se është shfaqur optimist se çështja është drejt zgjidhjes.

Tv Klan