“Problemi i Bullgarisë është mbiemri “maqedonas”

Ajo për  të cilën insiston ekipi bullgar nga Komisioni dypalësh për Çështje Historike dhe Kulturore, është shmangia e mbiemrit “maqedonas”, duke potencuar se dhe kur bëhet fjalë për organe shtetërore, por edhe për nocione kolektive, duhet të përdoret definicioni “kulturë, histori, gjuhë… të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, që ata pohojnë se del nga Marrëveshja e Prespës. Kryeministri Zoran Zaev konsideron se kjo çështje, me udhëzime të Ministrisë së Punëve të Jashtme, së shpejti do të zgjidhet.

“Në pjesën e komisionit, së pari ajo çështje te ne është zgjidhur politikisht, historianët me siguri edhe nga pala bullgare tani duhet t’i marrin udhëzimet, që do të thotë se kjo është çështje identiteti. Gjithë ajo që është mbiemër identiteti është mbiemër identiteti. Bullgaria e pranon realitetin dhe të tashmen. Edhe kur përdoret mbiemër identiteti ai është i zbatueshëm dhe nuk është çështje kontestuese në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Shefi i historianëve bullgarë në komisionin dypalësh, Angel Dimitrov, pas takimit dyditësh me kolegët maqedonas, në lidhje me mbiemrin “maqedonas”, ka cituar një tekst nga Marrëveshja e Prespës.

“Referimi i mbiemrit të shtetit dhe organeve të tij zyrtare dhe institucioneve tjera publike, si dhe institucioneve e subjekteve private që janë të lidhura me shtetin, janë të krijuara me ligj dhe marrin financim nga shteti për veprimtari jashtë shtetit duhet të jenë në mënyrë adekuate me emrin zyrtar të shtetit, nga i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky është dokument i Ministrisë së Punëve të Jashtme të RMV-së për Kombet e Bashkuara, që e rregullon përdorimin në të gjitha shtetet”.

Kryeministri Zaev sot përsëriti se është e sigurtë se Bullgaria edhe gjatë javës së ardhshme në Këshillin e Ministrave në Bruksel do ta pengojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Kemi edhe pak kohë dhe hapësirë, megjithatë është e sigurtë se Bullgaria këtë muaj sërish do të vendosë VETO. Mendoj se duhet të presim të kalojnë zgjedhjet në Mars, të mendojnë me kokë të ftohtë. Të mos e kënë presionin e zgjedhjeve”.

Nga ana tjetër gazeta bullgare “24 orë” sot sugjeron se Maqedonia e Veriut pas dhjetë ditëve megjithatë do të marrë ftesë nga Bashkimi Evropian, siç thuhet, me atë që Bullgarisë do t’i garantohet e drejta e ndërprerjes së procesit në çdo moment gjatë fazës së negociatave. Ideja e politikanëve me ndikim në Evropë është që me këtë kompromis Bullgaria të mos jetë e mashtruar, ndërsa Shkupi të mos e humbë shansin për anëtarësim me të drejta të plota. 

Klan Plus