“Nuk kemi kapacitete për të zëvendësuar të larguarit”

Duke marrë parasysh përvojën e Shqipërisë, Bashkimi Evropian së pari kërkon të gjendet mënyra e vettingut e më pas të zbatohet – ka deklaruar Kryeministri I Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev duke komentuar qëndrimin e Brukselit rreth procesit të vettingut.

I pyetur nëse BE-ja do ta kundërshtonte vettingun në gjyqësor, Kryeministri I Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka sqaruar se argumentet e Brukselit kanë qenë që të shkohet në përgjegjësi individuale dhe se për momentin, në vend, nuk ka një qendër resursesh që do t`i plotësonte vendet e zbrazëta.

“Bashkimi Evropian kërkon së pari të gjendet mënyra e vettingut në gjyqësor dhe më pas të zbatohet, duke marrë parasysh përvojën e Shqipërisë ku ishin zbrazur 200 vende që më pas nuk mund të plotësoheshin. Duke e parë këtë përvojë, fillimisht rekomanduan që t`I zgjidhim çështjet paraprake dhe më pas të fillohet me vetingun dhe ne patëm mirëkuptim për këtë”.

Për momentin në Maqedoninë e Veriut ka 520 gjykatës, kurse sipas vlerësimeve të ekspertëve, për funksionimin normal të gjyqësorit duhen 750. Për këtë shkak imponohet çështja si do të funksiononte gjyqësori nëse një pjesë e gjykatësve nuk e kalojnë vettingun dhe duhet të tërhiqen nga funksionet. Institucioni I vetëm që për momentin prodhon kuadro të rinj është Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publik, por brenda dy viteve nga ky institucion kanë dalë rreth pesëdhjetë gjykatës të rinj, që nuk është e mjaftueshme për të mbuluar boshllëqet eventuale në gjyqësor.

Tv Klan