Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet t’i njoftojë të dhënat e para jozyrtare gjatë ditës së enjte.

Lidhja Social Demokrate shpalli fitoren në zgjedhjet e së mërkurës. Ndonëse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk ka përfunduar me përpunimin e rezultateve nga të gjitha qendrat e votimit, LSDM-ja bëri të ditur pak para orës 2 të mëngjesit (me orën lokale)rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Drejtuesi social-demokrat dhe ish-kryeministri Zoran Zaev tha se partia e tij ka fituar 49 mandate, ndërsa VMRO-ja 46. Zoti Zaev tha gjithashtu se pret edhe dy mandate të tjera deputetësh.

Në një konferencë shtypi zoti Zaev tha se partia e tij korri sukses; “Koalicioni “MUNDEMI” është fitues i zgjedhjeve dhe vullneti i popullit u konfirmua për një të ardhme të sigurt, patriotizëm ekonomik, shtet të së drejtës. Rruga përpara u konfirmua. Rrezikut i thamë JO”, u shpreh Zaev. Ai i quajti zgjedhjet shembullore, të qeta, me dinjitet të lira, demokratike e të sigurta. “Qytetarët i njohën vlerat e vërteta; na dhanë besimin. Koncepti integrimit e mundi konceptin e izolimit”, tha Zoran Zaev.

KSHZ, ndërkohë nxori të dhënat të përpunuara për 94 për qind të vendvotimeve, por nuk ofroi të dhëna të qarta lidhur me mandatet e fituara në bazë të kësaj përqindjeje. KSHZ-ja megjithatë bëri të ditur se LSDM-ja ka marrë 36.13% të votave. VMRO 34.65%. BDI 11.57%, ndërsa koalicioni aleanca për Shqiptarët me Alternativën 8.79%. E majta 3.96 %, PDSH – 1.48% dhe partia e re Integra 1.3% të votave në shkallë vendi. Por këto të dhëna nuk ndihmojnë për t’u përkthyer si mandate në parlament për shkak se vendi ndahet në gjashtë zona zgjedhore dhe secila dërgon njëzet ligjvënës në parlament.

Tek kampi politik shqiptar Bashkimi Demokratik për Integrim është fitues. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se partia e tij ka fituar 12 deputetë dhe se prit konfirmimin edhe të një tjetri.

Aleanca dhe Alternativa mund të kenë fituar deri në dhjetë deputetë, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare, sipas të gjitha gjasave, një vend në parlament.

Zyrtarë të VMRO-DPMNE-së thanë se duhet pritur numërimi me qetësi i të gjitha votave për të parë ndryshimet e mundshme. Kjo parti shpreson se rezultati do të jetë tepër i ngushtë. KSHZ pritet t’i njoftojë të dhënat e para jozyrtare gjatë ditës së enjte. /VOA