Kreu i LSDM shpjegon deklaratën: Mbrojta Xhaferin me jetën time

“Bomba” të reja publikohen në YouTube. Në kanalin e ashtuquajtur ‘Gënjeshtrat e Zaevit” protagonist është lideri socialdemokrat Zoran Zaev. Një zë i panjohur i ofendon shqiptarët duke i thënë Zaevit se ata po ia shkruajnë faturën. “Nuk vlejnë as për pesë para”, kundërpërgjigjet lideri I LSDM-së. “Partitë shqiptare nuk kanë mall pas vetes që të shkruajnë fatura dhe ata luftojnë vetëm për para”, dëgjohet Zaevi në këtë bisedë të përgjuar.

Përmes Facebook-ut, Zaevi ka sqaruar se nuk ka shqiptuar fjalë ofenduese për shqiptarët, por këtë, sipas tij e ka bërë bashkëbiseduesi në bisedën e inçizuar. Por lideri socialdemokrat nuk është mjaftuar me kaq. Në postim ka adresuar kritika ndaj BDI-së.

“BDI nuk vlen pesë pare në tregun e votave. Ky është qëndrimi im sot, ishte qëndrimi im edhe atëherë, në kohën kur u inçizua biseda e publikuar sot. Kishin 20 deputetë, u përgjysmuan në 10, në këto zgjedhje do të kenë edhe më pak. Sidoqoftë, përkundër faktit që BDI nuk vlen as për pesë pare, më 27 Prill 2017, unë mbrojta jetën e Talat Xhaferit me jetën time.

Integristët e Ali Ahmetit nuk i kanë komentuar këto qëndrime të kryesocialdemokratit maqedonas Zoran Zaev. Zyrtarë të BDI-së kanë thënë se përgjigjen Zaevi do ta marrë nga lideri Ali Ahmeti gjatë tubimit të sotëm parazgjedhor në Tetovë.

Tv Klan