Kryeministri I Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka reaguar në lidhje me tragjedinë që ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Tetovë. Zaev ka deklaruar se një shpërthim në qendrën Covid në spitalin e Tetovës ka shkaktuar një zjarr që u ka marrë jetën disa personave. Ai u shpreh se flakët janë shuar dhe se po vazhddon beteja për të shpëtuar personat e mbetur të plagosur.

“Një tragjedi e madhe ndodhi në qendrën Covid në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri është shuar, e po ashtu edhe shumë jetë njerëzish. Lufta për jetën vazhdon dhe të gjitha forcat e shërbimit reaguan me sakrificë dhe shpëtuan njerëz. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave dhe i uroj shërbim të shpejtë të plagosurve”, shkruan Zaev në Facebook.

Zaev u shpreh se shkaqet e zjarrit do të përcaktohen së shpejti.

“Shkaqet e zjarrit do të përcaktohen dhe autoritetet ligjzbatuese janë në terren. Kjo është një tragjedi e vërtetë dhe ju siguroj që e gjithë qeveria është angazhuar për të qetësuar situatën. Zyra e Shtabit të Krizave në Bashkinë e Tetovës është në terren”, tha Zaev.

Ministria e Shëndetësisë në RMV ka konfirmuar vdekjen e 10 personave, por bilanci pritet që të rëndohet në orët në vijim. /tvklan.al