VMRO-DPMNE kërkon një emër jo partiak për qeveri të përbashkët

Në një intervistë për “Slloboden Peçat”, Kryeministri Zoran Zaev për herë të parë ka hapur mundësinë për formimin e Qeverisë për shpëtim kombëtar ku do të merrte pjesë edhe opozita. Sipas tij, populli është i ndarë dhe ka nevojë të bashkohet. Por, Kryeministri Zaev nuk e sheh liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoskin, si njeri me të cilin mund të bisedohet.

“Për herë të parë e them këtë, dua të hap debatin për qeveri të përbashkët edhe me opozitën. Por duhet të kemi një njeri me të cilin mund të bisedojmë, me z.Mickoski nuk bisedohet. Ose, nëse tek ata ka ndonjë njeri i kuptueshëm, kurse tek ne nuk ka, le ta largojnë Zaevin, vetëm që dy partitë të bisedojnë. Mund ta bashkojmë popullin, për shkak se kjo na nevojitet. Këtë e dinë edhe ata edhe unë. Populli është shumë i ndarë”, ka deklaruar Kryeministri Zaev.

Por, një ofertë e  liderit socialdemokrat dhe Kryeministrit Zaev që edhe opozita të futet në Qeveri, duket se nuk i ka pëlqyer Kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit. Ai ka lënë të kuptohet se roli i opozitës është të kritikojë pushtetin dhe se një qeveri e zgjeruar mund të ndodh vetëm në raste të veçanta.

“Opozita bën vërejtjet e veta, qofshin ato edhe pa vend, sepse roli i opozitës, jo vetëm te ne, por në të gjitha vendet e përparuara. Vetëm në raste të veçanta mund të bëhen pjesë e një procesi të rëndësishëm, përndryshe ato detyrë e kanë që mos të pajtohen me shumicën parlamentare”, tha Ahmeti.

VMRO-DPMNE-ja ofertën e Zaevit e ka vlerësuar si konfirmim se Maqedonisë i duhet një qeveri e re dhe se shumica parlamentare është joefikase për t`u përballur me krizën e pandemisë.

“Nëse qeveria e ekspertëve ku në krye do të jetë ndonjë personalitet mbipartiak që do të ishte i pranueshëm për të gjithë, që do të mund ta udhëheqë vendin deri në zgjedhjet lokale e më pas të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme, ne jemi gati që të bisedojmë për këtë koncept”, tha Antonio Miloshoski, deputet i VMRO-DPMNE.

Ndryshe, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në fund të Shkurtit, në një prononcim për mediat kishte deklaruar se është koha që Qeveria të dorëhiqet dhe të formohet një Qeveri teknike, që sipas tij, do ta përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme dhe të drejta.

Klan Macedonia