Në programin “Historia ime”, në TV Klan ishte e ftuar nëna e adoleshentit që u dhunua disa ditë më parë nga një punonjës i policisë, pranë zonës së Liqenit Artificial, pasi u kap me biçikletë jashtë orarit të lejuar.

Zaida Çobo tregoi edhe më tepër detaje në lidhje me takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ky takim erdhi menjëherë pasi ai publikoi një video, ku thotë se mamaja e adoleshentit shfaqet me pistoletë në dorë.

Zaida rrëfeu se takimi u kërkua prej tij, për t’i kërkuar ndjesë për videon. Ajo shton se nuk e priste reagimin dhe komentet e publikut pas këtij takimi dhe është lënduar shumë.

Mirela Milori: Ju u takuat me të. E kërkoi ai takimin?

Zaida Çobo: E kërkoi ai.

Mirela Milori: Si shkoi takimi?

Zaida Çobo: Realisht, përtej të vërtetës, pavarësisht se shumë gojëdhëna ka dhe po dëgjoj gjithandej që flasin. Unë personalisht e ndjeva që vërtet kërkoi takim për të kërkuar ndjesë mua personalisht. E ndjeva se në një farë mënyre njeriu duket kur flet, kur kontakton, mënyra si e interpreton atë që nxjerr nga goja dhe unë e ndjeva që ai e ndjente vërtet që të më kërkonte ndjesë. Takimi ishte shumë i shkurtër, ndërkohë më tha që unë doja të të kërkoja ty personalisht ndjesë, pastaj ta bëja publike. Pasi e bëri publike, unë atë pjesë nuk e prisja që e bëri vetë publike, tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Mirela Milori: Po u bë një foto publike!

Zaida Çobo: Nuk e prisja fare, nuk e dija fare që do funksiononte dhe kjo pjesë. Më erdhi mirë sepse ishte diçka që unë e kërkoja që ditën e parë.

Mirela Milori: Që ta takoje?

Zaida Çobo: Po që ta takoja. Jo vetëm që ta takoja, por që në momentin e parë që mua më kanë marrë nga televizoni, gazetare ka qenë, nuk e mbaj mend dhe më tha e ke parë ç’ka bërë drejtori, jo i thashë, më ço pak linkun. Që në momentin e parë që e pashë, unë e marr direkt drejtorin në telefon dhe nuk ma ngriti. Që në momentin e parë doja ta vërtetoja, të kontaktoja me të dhe t’i thoja çfarë po ndodh.

Mirela Milori: Dhe thjesht u kërkua një ndjesë? E pranove?

Zaida Çobo:  Patjetër!

Mirela Milori: E ke kaluar këtë histori? Si e përpunon tani këtë histori?

Zaida Çobo: Kjo më ka lënduar akoma më tepër!

Mirela Milori: Reagimi i njerëzve?

Zaida Çobo: Reagimi i njerëzve, i opinionit publik më ka lënduar goxha. Të vret opinioni publik.

Mirela Milori: Pra të ka vrarë opinioni pas fotos. Në momentin që ti je takuar me zotin Veliu dhe ai kërkoi ndjesë, këtë pjesë opinioni e ka deformuar?

Zaida Çobo: E ka deformuar, jo vetëm opinioni, por edhe portalet e kanë deformuar në mënyrën më ekstreme. Jo u shit, jo tradhëtoi, mua më vjen çudi kë tradhëtova, më vjen çudi kë shita, më vjen çudi përse mund të marrë lekë nën dorë, kur ndërkohë unë atij zotërie ja marr lekët me të gjitha të drejtat e mia në gjyq. Ky është një konceptim shumë i palogjikshëm dhe për këtë më vjen për të ardhur keq si funksionojmë./tvklan.al