Në çeljen e ambienteve të rindërtuara të TKOB, u vu re mungesa e një figure të rëndësishme të artit shqiptar, Inva Mulës. Në deklaratën e saj, sopranoja u shpreh e fyer për mospërmendjen e prindërve të saj.

Gjatë intervistës në studion e emisionit “Rudina” në Tv Klan, drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela, u shpreh se hapja e ambienteve të reja përkoi me dy jubile të rëndësishme: 65-vjetorin e Teatrit dhe 100-vjetorin e Mustafa Krantjas.  Ajo shtoi se Teatri nuk pret përvjetoret e tij për të kujtuar figurat, por ka një kalendar artistik që ndjek.

Sipas Çelës, edhe në rastin e familjes Mula është zbatuar e njëjta procedurë, madje është familja që ka marrë vëmendjen më të madhe nga TKOB.

Rudina Magjistari: Zana, unë nuk dua të prek ato bisedat që e pasuan në fakt këtë ngjarje, diskursi publik që mori shumë vëmendje në fakt dhe do të kisha dashur që pse jo, të ishte shmangur sepse ishte ngjarje shumë e bukur që duhet të merrte të gjithë vëmendjen. Më në fund, ambientet e reja të ristrukturuara, por gjithsesi ishte e pashmangshme. U bë një sqarim mes dy zonjave të rëndësishme të artit dhe kulturës në Shqipëri dhe unë nuk dua ta çel këtë bisedë, me thënë të drejtën. Kam përshtypjen që publiku tashmë i ka marrë deklaratat e secilës prej jush dhe ka një mendim të vetin. Meqë ishim në kuadrin e emrave të njohur që po përmendim, në kuadrin e 65-vjetorit tashmë që çelët, do të ketë edhe një moment të menduar, një koncert pikërisht për familjen Mula, për të madhin Avni Mula, për Nina Mulën sepse janë njerëz që kanë kontribuar padiskutim shumë në vlerat e Teatrit?

Zana Çela: Jo vetëm për familjen Mula, por për të gjithë ata kontribuesit kryesorë, pra kulminacionet artistike të historisë sonë të Teatrit, do të ketë, por edhe ka patur. Meqenëse ti bëre një kthim në këto diskurse, në deklaratën që Teatri i Operas bëri, përmendte që është një gjë fare e zakonshme për kalendarin e teatrit tonë që sa herë ka përvjetor, ne gjithmonë organizojmë koncerte në nder të emrit, siç është rasti i Mustafa Krantjas dhe po kështu ka qenë para 4 vitesh përvjetori i Nina Mulës dhe ne e kemi celebruar me një koncert gala kushtuar vetëm asaj. Pra, është një procedurë krej artistike normale për Teatrin tonë dhe ne nuk presim raste përvjetoresh të Teatrit, 60 apo 65 vjetor. Ne kemi procedura krej normale në kalendaret artistike të Teatrit të Operas. Të gjithë artistët që janë jo vetëm themelues, por edhe të gjithë të tjerët që kanë qenë ekselenca e krijimtarisë apo e interpretimit të skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit, vazhdimisht marrin momentin e vet kur ato celebrojnë ditëlindje. Ne nuk kujtojmë përvjetoret e ikjes nga jeta, por ne kujtojmë vetëm përvjetoret e lindjes së tyre apo të shfaqjeve e veprave. Pra, nuk është vetëm në këtë rast, ne e kemi patur dhe do ta ketë Teatri i Operas këtë praktikë.

Zana Çela bëri të ditur edhe disa nga ngjarjet që do të jenë në kalendarin artistik të këtyre muajve. Në Nëntor do të jetë përvjetori i koreografit të njohur, Panajot Kanaçi, më pas do të vijojë i Tish Daija në Janar 2022 dhe përvjetori i veprës ”Toka Jonë” nga Pjetër Gaci.

Zana Çela: Disa emra si Mustafa Krantja, ishte një koincidencë shumë e bukur: 100 vjetori i tij dhe 65-vjetori i Operas, po kështu do të vazhdojmë me të gjithë figurat, janë kujtuar dhe do të kujtohen, madje e them këtu meqenëse është rasti, familja Mula është familja e cila është përkujtuar ndoshta më shumë se asnjë familje tjetër artistësh./tvklan.al